Performanca e këngëtares Celine Dion në hapjen e Lojërave Olimpike në Paris 2024 ishte regjistruar paraprakisht, raporton gazeta franceze Libération.
Miliona njerëz u prekën emocionalisht kur 56-vjeçarja interpretoi këngën “L’Hymne à l’amour” të këngëtares franceze Edith Piaf. Madje, presidenti Emmanuel Macron e quajti këtë performancë “kulmi emocional” i ceremonisë. Megjithatë, tani gazeta e njohur franceze ka cituar ekspertë të industrisë muzikore që pretendojnë se performanca e 26 korrikut ishte “pa dyshim e regjistruar paraprakisht”, duke e quajtur atë një performancë “false”.
“Ajo që dëgjuam në televizion ishte një riprodhim i korrigjuar,” deklaroi për Libération kompozitori dhe interpretuesi Etienne Guéreau. Ndërkohë, një inxhinier zëri tha: “Ishte 100% e regjistruar paraprakisht, mund ta dëgjoni që nga notat e para.” Të tjerë pretendojnë se edhe prova e Celine Dion ishte e regjistruar paraprakisht.
Një muzikant i njohur si Wings of Pegasus komenton në YouTube se prova dhe performanca reale tingëllonin identike, gjë që, sipas tij, është e pamundur. “Gjithmonë ka ndryshime mes dy versioneve të një këngë live”, tha ai. Përfaqësuesit e organizatorëve të Lojërave Olimpike nuk kanë pranuar të japin komente lidhur me pretendimet për performancën e Celine Dion. Ata më herët këmbëngulën se performanca ishte tërësisht live.
Kjo performancë u reklamua si rikthimi i madh i Celine Dion pas një pauze për shkak të problemeve shëndetësore. Këngëtarja kanadeze, një nga më të famshmet në gjuhën frënge, vuan nga një sëmundje e rrallë autoimune dhe nuk ka performuar për vite me radhë.
Dion, e njohur më së shumti për hitin e saj “My Heart Will Go On”, njoftoi në dhjetor 2022 se i ishte diagnostikuar sindroma e personit të ngurtësuar. Në një intervistë, ajo shpjegoi se kjo gjendje mund të shkaktojë spazma muskulore kudo në trup, duke bërë që duart apo këmbët e saj të ngrijnë. Ajo gjithashtu ka pasur vështirësi me ecjen dhe këndimin.
Celine kishte performuar edhe më parë në Lojërat Olimpike në Atlanta, në vitin 1996, kur këndoi këngën “The Power of Dream”. Ceremonia u ndoq nga 3.5 miliardë njerëz në mbarë botën.
Pas ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Paris, Celine Dion reagoi në rrjetet sociale.
“Jam e nderuar që performova në ceremoninë e hapjes së Parisit 2024 dhe jashtëzakonisht e lumtur që u ktheva në një nga qytetet e mia të preferuara! Mbi të gjitha, jam e lumtur që mbështes këta sportistë të jashtëzakonshëm, sakrificën dhe vendosmërinë e tyre, dhimbjen dhe këmbënguljen. Të gjithë jeni të përqendruar në ëndrrën tuaj dhe, pavarësisht nëse do të ktheheni në shtëpi me një medalje apo jo, shpresoj që të jeni të lumtur që jeni këtu dhe se ëndrra juaj tashmë është realizuar! Të gjithë duhet të jeni shumë krenarë, dimë sa shumë keni punuar për të qenë më të mirët e më të mirëve. Qëndroni të fokusuar, zemra ime është me ju”, shkroi ajo në Instagram. /Telegrafi/