Zhegoci i Gjilanit, atje ku gjatë luftës së fundit ishte vendosur Zona Operative e Karadakut, ka rikujtuar betejën e 15 prillit të vitit 1999, ku në përleshje me forcat serbe kanë rënë dhjetëra dëshmorë e martirë të kësaj ane dhe anëve tjera të Kosovës.
Te Hanet e Zhegocit u vranë edhe bashkëshortët Hanumshahe e Tefik Zymberi dhe vëllezërit Ramadan e Shaban Hyseni, të cilët ishin nisur për Gjilan, me një veturë civile.
Sipas dëshmitarëve, ata kanë qenë në rroba civile kur janë vrarë nga forcat serbe. Mustafë Zymberi, vëllai i Tefikut, thotë se pas katër ditësh ka arritur të shkojë në vendin e krimit dhe atje i ka gjetur të groposur në një varrezë masive të gjithë të vrarët.
“Tefiku ka qenë i masakruar”, thotë Mustafa.
Po atë ditë, janë vrarë edhe ushtarët Pajazit Ahmeti – Paja dhe Alban Ajeti. Bashkë me Pajën ka qenë Afrim Myrtaj, i cili ka arritur të shpëtojë me disa plagë në trup. Në Marec, ku ishte tërhequr UÇK-ja, pas ofensivës në Zhegoc, është vrarë eprori Muharrem Ibrahimi nga Gjilani, pas një sulmi masiv të makinerisë serbe në drejtim të pozicioneve të UÇK-së.
Ibrahimi rezistoi me heroizëm, pa e ndalë këngën derisa e mori plumbi, thotë Nehati, një bashkëluftëtar i tij. Ai ka jetuar dy ditë me plagë në trup, në familjen e Basri Canollit, ku ishte tërhequr nga shokët, por nuk ka mundur t`iu mbijetojë plagëve.
U vra edhe plaka e lindur në vitin e pavarësisë
Më 15 prill, në ofensivën e Zhegocit, që është shtrirë deri në Sllovi të Lipjanit, janë vrarë edhe Gafurr Hyseni, vëllezërit Sahit e Shahin Baftiu, Bahri Sadiku dhe Kastriot Baftiu, djali i Sahitit, që ishte vetëm 14 vjeç.
Janë vrarë po ashtu edhe Bahtir Jahiri, Ibrahim Pacolli, plaka e lindur në vitin e pavarësisë së Shqipërisë, Naile Jahiri (1912). Fadil Jahiri nga Verbica e Zhegocit ka thënë se Nailja është vrarë në pragun e shtëpisë. Janë vrarë edhe Zylfije Gashi, Sherif Sherifi, Enver Pacolli, Ilmi Hyseni, Feim Ajeti, Bashkim Ramadani, Fadil Ajeti, Ismet Ajeti, Fatmir Ademi, Blerim Ademi, Ismet Sadiku. Sipas dëshmitarëve Nazmi Beqiri dhe Bekim Sadiku, Ismeti është vrarë te shkolla e fshatit Verbicë, shkruan Kosova Sot.