Nga: Fred Abrahams
Gjatë gjithë verës së vitit 2010, një grup i vogël miqsh, të lidhur nga pikëllimi, kaluan ditët e tyre jo duke ecur, notuar apo me familjen, por duke gërmuar me një ekskavator në rrëzë pyjeve të malit Dajt, pesë kilometra nga Sheshi “Skënderbej” i Tiranës dhe afër fshatit ku kryeministri i sotëm Edi Rama më vonë ndërtoi shtëpinë e tij moderne.
Kur ata ndaluan së gërmuari, në fillim të vjeshtës, eshtrat e 13 njerëzve u vendosën në qese plastike të zeza. Ato ishin eshtrat e hedhura të atyre që u ekzekutuan fshehurazi me armë zjarri gjatë viteve të errëta të sundimit komunist.
Prokurori i Tiranës ose zyrtarë të tjerë të qeverisë nuk u panë askund, sepse kjo zhvarrosje ishte një ndërmarrje private – përpjekja e dëshpëruar e dy burrave për të gjetur baballarët e tyre të cilët u dënuan gabimisht dhe u vranë shumë vite më parë.
Tri dekada nga rënia e komunizmit, mijëra familje shqiptare janë ende në pritje për të mësuar se si dhe ku u vranë të afërmit e tyre. Numri i saktë mbetet i paqartë: qeveritë post-komuniste të të gjitha krahëve nuk e kanë përcaktuar dot këtë. Shumica e vlerësimeve thonë se ishin rreth 6,000 njerëz që u vranë ose vdiqën në burgjet shtetërore midis vitit 1944 dhe 1991, trupat e tyre nuk u kthyen e gjetën më kurrë.
Viktimat e mbijetuara të persekutimit të epokës komuniste janë njohur dhe kompensuar në masë të madhe. Por, familjet e personave të zhdukur duhet të gërmojnë vetë në të kaluarën.
“Politikanëve thjesht nuk u intereson”, tha Jovan Plaku, 46 vjeç, organizatori kryesor i gërmimit në malin e Dajtit, babai i të cilit Koço Plaku u ekzekutua në vitin 1976 pas një dënimi për tradhti, sabotim dhe agjitacion dhe propagandë kundër shtetit. “Ata janë shumë të zënë duke bërë para.”
Të irrituar dhe të shpërfillur, Plaku dhe të tjerë i kanë planifikuar dhe financuar vetë hetimet e tyre, duke mbledhur dokumente zyrtare dhe duke bashkuar histori nga ish-hetuesit, rojet e burgjeve dhe spiunët nga Sigurimi i shtetit. Plaku mblodhi regjistrimet audio të procedurave gjyqësore të babait të tij dhe të marrjes në pyetje, e cila ishte hera e parë që nga fëmijëria e hershme që ai dëgjoi zërin e babait të tij.
“Arsyet procedurale u dhanë herë pas here si përgjigje nga zyra e prokurorit përballë pyetjes se përse nuk mund të jepeshin urdhra për zhvarrosje”, tha Matthew Holliday, Drejtori i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, i cili publikoi një raport mbi njerëzit e zhdukur në Shqipëri nga periudha komuniste. Raporti pranon ligjet dhe institucionet e ndryshme që ekzistojnë për të adresuar krimet e epokës komuniste, por ankohet për mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit që ka rezultuar në “progres të kufizuar në adresimin e çështjes së personave të zhdukur”.
Lista e zonave të fshehta ku mund të ndodhen varret e të zhdukurve shtrihet shumë përtej Malit të Dajtit. Rreth 70 lokacione të raportuara janë të shpërndara në të gjithë vendin, afërsisht 25 prej tyre janë të besueshëm dhe një duzinë prej tyre janë konfirmuar se kanë mbetje njerëzore. Përveç atij në malin Dajti, familjarët, ICMP dhe Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që prokurorët lokalë të zhvarrosin një vend pranë qytetit të Ballshit.
Në përgjigje të pyetjeve, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë tha se prokurorët e rretheve mund të urdhërojnë zhvarrosje për krimet e epokës komuniste që nuk e kalojnë afatin e parashkrimit dhe ia referuan pyetjet në lidhje me varrin e dyshuar në Malin e Dajtit dhe atë të Ballshit prokurorëve të Tiranës dhe Fierit.
Në ndryshim nga mosveprimi i shtetit, kryeministri Rama iu përgjigj një kërkese nga qeveria italiane për të gjetur eshtrat e një bankieri italian me emrin Giussepe Terrusi, i cili u arrestua pas luftës dhe u ekzekutua në vitin 1952. Pa një urdhër gjykate, një ekip me ekskavator hapi dy llogore në burgun e Burrelit në shtator të vitit 2020, duke mos gjetur asgjë. Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me Terrusin ose qasjen e saj më të gjerë ndaj varreve sekrete të epokës komuniste, duke ia referuar pyetjet Autoritetit Shqiptar për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, një organ i themeluar në vitin 2016 për të menaxhuar arkivin e ish-policisë sekrete, por pa autorizim për të kryer hetime penale.
ICMP nuk është organi i parë ndërkombëtar që shqyrton çështjen. Grupi i Punës i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Detyruara ose të Pavullnetshme vizitoi Shqipërinë në dhjetor 2016 dhe publikoi një raport kritik vitin pasues, duke zbuluar se “Shqipëria ende nuk është marrë në mënyrë adekuate me shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera midis vitit 1944 dhe 1991”. “Ad hoc dhe e fragmentuar” ishte mënyra se si Grupi i Punës i Kombeve të Bashkuara i përshkroi kërkimet e Shqipërisë për të zhdukurit.
Detyrimet e vendit janë të qarta. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në të cilën Shqipëria është palë, mbulon të drejtën e jetës dhe shteti ka një detyrim procedural kur kjo e drejtë abuzohet. Shqipëria është gjithashtu palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, e cila kërkon hetime dhe ndjekje penale kur njerëzit zhduken ndërsa janë nën kujdesin e shtetit.
Në maj 2018, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë inkurajoi Shqipërinë “të dyfishojë përpjekjet e saj për të hedhur dritë në mënyrë efikase mbi zhdukjet e imponuara që ndodhën gjatë regjimit komunist”. Shqipëria duhet të hetojë këto krime, të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës dhe të sigurojë dëmshpërblime për viktimat dhe familjet e tyre, thanë nga komiteti.
ICMP po ofrohet për të ndihmuar gërmikmet në Malin e Dajtit dhe Ballsh me fonde nga Bashkimi Evropian, por u desh presion i madh diplomatik që qeveria shqiptare të miratonte madje një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën në 2018.
“Qeveria kujdeset për marrëdhëniet me publikun”, tha një person që ndoqi procesin nga afër. “Përtej kësaj, ata nuk duan të përballen me abuzime të së kaluarës. Kjo është një sfidë dhe nuk sjell fonde.”
Kritikët thonë se përpjekjet e qeverisë janë përqendruar në projekte të tilla si ish-bunkeri ushtarak Bunk’Art dhe Shtëpia me Gjethe. Të dy projektet ndihmojnë për të hedhur dritë mbi të kaluarën, por kryesisht shërbejnë për të joshur turistë të huaj. Ato nuk i qetësojnë vuajtjet e afërsisht 6,000 familjeve që kërkojnë ngushëllim, mbyllje të kësaj çështjeje dhe kompensim.
Që nga viti 1991, qasja e të gjitha qeverive, socialiste dhe demokrate, “është kalibruar të mos shqetësojë gardën e vjetër”, tha një diplomat që e ndoqi këtë çështje. /Reporter.al/