Zgjedhjet lokale të vitit 2021 kanë lënë jashtë pozitave udhëheqëse disa nga politikanët që për vite me radhë udhëhoqën ndër komunat më të mëdha të Kosovës.
Në zgjedhjet që u mbajtën në vjeshtë të vitit të kaluar, ishin 11 politikanë që mbetën pa ulësen e kryetarit, disa prej tyre vazhduan të jenë aktiv në skenën politike, e disa prej tyre vendosën të jenë më të rezervuar sa i përket paraqitjeve e përfshirjeve në debate për tema të caktuara.
Ndër politikanët që pas humbjes u shfaqën shumë pak në media, ishin Arben Vitia, Mytaher Haskuka dhe Agim Bahtiri.
Arben Vitia, i cili kishte lënë Ministrinë e Shëndetësisë për të kandiduar për kryetar të Prishtinës, përveç një postimi që kishte bërë më datën 14 nëntor të vitit 2021, kur është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, nuk ka bërë më asnjë reagim në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Vitia po ashtu për gjatë kësaj kohe nuk është parë as me anëtarët tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje në ndonjë tubim.
Vitia garën në komunën e Prishtinës e kishte humbur nga kundërkandidati i tij, Përparim Rama ( LDK), i cili kishte fituar votat e mjaftueshme për udhëheqjen e komunës.
Paraqitjet e rralla në media gjatë kësaj kohe i ka pasur edhe Mytaher Haskuka, i cili pas një mandati 4 vjeçar në krye të Prizrenit, ai humbi postin e kryetarit më 14 nëntor. Humbjen Haskukës ia kishte shkaktuar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.
Haskuka nuk ka pasur ndonjë paraqitije në debate televizive gjatë kësaj kohe, por që në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka pasur vetëm disa urime për festa, së fundmi ai ka bërë një urim për festën e pavarësisë së Kosovës.
Humbja në zgjedhjet lokale, ndikuan edhe në jetën e Agim Bahtiriti, i cili derisa kishte udhëhequr me komunën e Mitrovicës, kishte lënë familjen në Holandë dhe ishte kthyer për të jetuar në Kosovës, mirëpo pas humbjes që përjetoi Bahtiri u kthy sërish për të jetuar në Holandë.
Ai zgjedhjet lokale i ka humbur nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Bahiri po ashtu gjatë kësaj periudhe nuk është përfshirë në debate publike dhe nuk ka pasur ndonjë reagim për ndonjë temë të caktuar. /Telegrafi/