Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, sot në një konferencë për shtyp tha se metodologjia e re për fillimin e negociatave është një fitore, që sipas tij, vlen si për vendet kandidate ashtu edhe për vet BE-në.
Ai shtoi se procesi i zgjerimit përfaqëson një investim strategjik për BE-në dhe kontribuon në stabilitetin dhe unitetin e tij, ndërsa për rajonin është një riafirmim që vetëm anëtarësimi i plotë është qëllimi i procesit të pranimit.
“Qëllimi i dokumentit është të shpejtojë procesin e pranimit që kohët e fundit ka humbur disa energji, nga të dy palët. Qëllimi është gjithashtu të rivendoset besimi midis vendeve anëtare dhe kandidatëve, i cili gjithashtu është ndërprerë në vitet e fundit”, tha Zhbogar.
Dje Komisioni Evropian e miratoi metodologjinë e re të procesit të zgjerimit të BE-së, me të cilën parashihet proces më efikas, i parashikueshëm dhe i kthyeshëm./Telegrafi/