Zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, gjatë një paraqitje për media në rastin e shënimit të 20 vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës, i pyetur nga Telegrafi se si do të zgjidhet çështja e pensioneve të veteraneve dhe mësimdhënësve të viteve të 90-ta, ka thënë se janë duke bashkëpunuar me institucionet vendore për arritjen e stabilitetit fiskal.
Zhang ka shtuar se ende nuk kanë filluar konsultimet për vitin aktual.
“Ne në vazhdimësi kemi bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Ne sigurisht këtë e bëjmë duke i shkëmbyer përvojat dhe dhënë vërejtjet për çështjet. Po vazhdojmë t’i diskutojmë çështjet me prioritet me Ministrinë e Financave. Ne vitin e kaluar e kemi përfunduar konsultimin e fundit, por që këtë vit ende nuk kanë filluar ende konsultimet. Po e presim momentin e duhur, ashtu siç ju e dini, ende nuk i keni formuar institucionet në mënyrë që t’i fillojmë ato. Siç e dini qasja jonë është objektive, sidomos për stabilitetin fiskal dhe për këtë jemi në vazhdimësi në konsultim më institucionet vendore që ta arrijmë disiplinën fiskale”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, Zhang ka thënë se rritja ekonomike mesatare e Kosovës brenda dy viteve të fundit nuk është e mjaftueshme për rritjen vendeve të punës.
“Rritja ekonomike mesatare e Kosovës brenda dy viteve të fundit është rritur 3 për qind deri 4 për qind, por që nuk është e mjaftueshme për rritjen vendeve të punës. Ne shohim deficit të lartë tregtar dhe deficit të lartë në investimet e huaja direkte. Remitancat, eksporti dhe tregtia duhet të përmirësohen në mënyrë që Kosova ta ketë një zhvillim të qëndrueshëm. Duhet të ketë kujdes në shpenzimet qendrore”, tha Zhang.
Përveç fjalimeve të drejtuesve të lartë të shtetit, të BQK-së dhe të institucioneve ndërkombëtare, konferenca do të jetë e ndarë në katër sesione, ndërsa pritet që të prezantohet studimi “Qeverisja Korporative e Bankave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, si dhe do të nënshkruhet Memorandumi i mirëkuptimit në fushën e qeverisjes korporative të bankave. /Telegrafi/