Sot (e premte) në kinemanë më të madhe në vend, Cineplexx, ka zbarkuar filmi i suksesshëm kosovar, “Zgjoi”.
Regjisorja Blerta Basholli, aktorja Yllka Gashi, shoqëruar nga Yll Uka dhe Valon Bajgora, dhanë detajet e filmit fitues të tri çmimeve në ‘Sundance Film Festival’.
Bisedën e nisi aktorja Yllka Gashi, e cila tha se e kishte për nderë që në një film si “Zgjoi” të portretizonte një zonjë si Fahrije Hotin.
“Ka qenë e vështirë sikur çdo projekt tjetër që është i vështirë kur e merr me seriozitet, por unë kam qene e involvuar në këtë projekt prej vitit 2011, kur Blerta e ka pasur fillimisht idenë për ta shkruajtur këtë skenar dhe për ta bërë këtë film. Kam jetuar një kohë të gjatë me dëshirën për të luajtur zonjën Fahrije, mandej kur e kemi filluar punën konkrete me prova, me biseda të gjata edhe shumë intime me Blertën, në lidhje me atë se qysh duam ta ndërtojmë këtë personazh edhe qysh duam që dhimbjen e saj ta pasqyrojnë në film. Ka qenë pak e lodhshme emocionalisht me e mbajt gjithmonë atë ndjenjën e dhimbjes dhe të pasigurisë që e ka me burrin e pagjetur. Megjithatë me një regjisore të mire si Blerta dhe me gjithë udhëzimet që mi ka dhënë, besoj që kemi arritur të bëjmë një punë të mirë”, tha Yllka Gashi.
Ndërkohë, regjisorja Basholli tha para mediave se suksesin e arritur në ‘Sundance’ nuk e kishte pritur, mirëpo të arriturat në këtë festival duket se i kanë hapur dyert për të arritur më shumë.
“Nuk kam qenë optimiste as për ‘Sundance’ të jem e sinqertë, sepse konkurrojnë shumë filma prej krejt botës edhe filma shumë të mirë, dhe ne u pranuam në ‘Sundance’ . Unë, ekipi producentët, sidomos producenti ka insistuar duke thënë ‘Do të fitojmë çmime’ dhe unë thoja: ‘OK ne u pranua , edhe duhemi me qenë të lumtur’, sepse me të vërtetë është një festival i madh dhe unë e kam pasur ëndërr të marrë pjesë në ‘Sundance’”, tha Basholli.
E pyetur nga gazetari i Telegrafit rreth pritshmërive për “Oscars 2022”, me që “Zgjoi” është nominim nga Qendra e Kinematografisë së Kosovës, Blerta tha se është realiste në rrugën e gjatë dhe të vështirë që ka përpara në këtë drejtim, por që mbetet të shihet.
“Nuk e di është garë shumë e madhe, kemi nevojë të bëjmë një kampanjë të madhe, konkurrojmë me shtete të cilat kane marrë ‘Osar’ disa herë, kanë buxhete shumë më të mëdha se ne, kanë ekipe shumë më të mëdha se ne. Ne kemi fatin që pas ‘Sundance’ e kemi formuar një ekip të mirë goxha promovues në Amerikë. Jemi duke punuar sikur me qenë e garantume nominimi, mendoj që i kemi shanset shumë të mira, pikërisht për shkak të ‘Sundance’, po total tash i kemi 12 çmime nëpër botë kështu që veç është duke u folur për filmin tonë. Jemi diku në parashikimet e ‘Oscars’, nuk jemi krejtësisht jashtë hartës. Mendoj që kemi me u afrua shumë, të shohim – punën edhe hyzmetin jemi duke ia bërë. Unë nuk jam jo -optimiste, por shumë realiste, kështu qe e di që e kemi një garë shumë të vështirë para vetes”, tha regjisorja e filmit “Zgjoi”.
Filmi “Zgjoi” do të jetë i disponueshëm për publikun që nga sonte në Cineplexx Kosovo. /Telegrafi/