Telegrafi

Zgjerimi i tregjeve energjetike dhe ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës, tema kryesore në takimin Kurti-Spiropali

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ditën e sotme Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Kryetarja Spiropali po realizon vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë pas marrjes së detyrës së fundmi.

“Duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe vëllazërore ndërmjet dy shteteve tona, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka ofruar në forume dhe proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, e veçanërisht në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin për media.

Në takim u diskutua rreth zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si vazhdimësi e punës që është realizuar në tri vitet e fundit.

Kurti veçoi edhe disa nga projektet e përbashkëta, në mesin e tyre inaugurimi këtë vit i ALPEX për bashkimin e tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri apo edhe ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës që bashkon edhe qytetet historike të Gjakovës dhe Shkodrës, si dhe mundësitë që paraqiten për të tashmen e të ardhmen.

“Ai theksoi se si dy Republika parlamentare, bashkëpunimi edhe mes dy Kuvendeve tona ka arritur maja më të larta e një nivel të ri. Vizita e Kryetares Spiropali është dëshmi e angazhimit të përbashkët për thellimin e marrëdhënieve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy republikave, teksa angazhohemi për mundësi të reja ndërveprimi për zhvillim të përbashkët dhe sjelljen e qytetarëve në të dy anët e kufirit më pranë njëri-tjetrit”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Spiropali për bisedën e zhvilluar si dhe i uroi qëndrim të frytshëm në Kosovë./Telegrafi/