Site icon Telegrafi

Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor mbetet kyç për BE-në

Vendet e Bashkimit Evropian pritet të përsërisin në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme përkushtimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit dhe procesit të stabilizim-asocimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në një draft të konkluzave të përgatitura nga Presidenca sllovene e BE-së për këtë takim, që do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel, merren parasysh edhe Raportet e Progresit, që për këto vende i ka miratuar dhe publikuar Bashkimi Evropian.

“Këshilli rikonfirmon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, i cili mbetet politika kyçe e Bashkimit Evropian”, thuhet në draftin e konkluzave që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Aty nënvizohet se “ky proces është investim në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë”.

“Këshilli nënvizon se mbështetja e vlerave themelore të BE-së dhe perspektiva evropiane është një zgjedhje e vendosur strategjike, thelbësore për të gjithë partnerët që synojnë anëtarësimin në BE”, thuhet në konkluza.

Nga vendet e rajonit kërkohet që t’i përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, kërkohet që edhe politikat e tyre për ruajtjen e ambientit, të përshtaten me strategjinë e BE-së. Kjo pritet të bëhet përmes “agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor” dhe do të jetë pjesë përbërëse e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli nënvizon se sundimi i ligjit do të jetë një element kyç, nga i cili do të varet dinamika e përparimit të vendeve të rajonit në procesin e integrimeve evropiane.

Përmes këtyre konkluzave, vendeve të rajonit u bëhet thirrje që të punojnë për bashkëpunim rajonal, sidomos drejt zbatimit të marrëveshjes për tregun e përbashkët rajonal, si dhe të punojnë për pajtim dhe fqinjësi të mirë.

Edhe një herë tërhiqet vërejtja se mohimi i gjenocidit, relativizmi i krimeve të luftës dhe madhërimi i kriminelëve nuk kanë vend në Evropë dhe se shkojnë kundër vlerave evropiane.

Exit mobile version