Site icon Telegrafi

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, flasin për fituesit e zgjedhjeve

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë zënë vend edhe në ballinat e mediave ndërkombëtare, ku shumica prej tyre kanë theksuar se opozita ka fituar, duke dërguar në opozitë partitë që ishin në pushtet.

Reuters, shkruan se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet parlamentare me 26 për qind, e pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25 për qind, transmeton Telegrafi.

Edhe EuroNews, shkruan se në Kosovë ka filluar sinjalizimi se po fillon një epokë e re e politikës në Ballkan, ku lidershipi që udhëhoqi me vendin që nga pavarësia e vendit, kanë humbur në zgjedhjet e 6 tetorit.

Siç raporton ky medium, çështjet që më së shumti i preokupon qytetarët e vendit janë korrupsioni dhe bisedimet me Serbinë, si dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara.

Hapësirë të mjaftueshme zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë i ka kushtuar edhe mediumi britanik BBC, ku sipas tyre janë pikërisht Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që nuk kishin arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor, të fitojnë zgjedhjet e mbrëmshme.

Në anën tjetër, New York Times shkruan se që nga përfundimi i luftës në Kosovës, figurat dominante në politikën kosovare që ishin kryesisht luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por zgjedhjet e të dielës treguan se një gjeneratë e re e politikanëve i ka sfiduar ata seriozisht për herë të parë.

E Al Jazeera, shkruan se qeverinë e re e presin sfida të shumta siç është rifillimi i dialogut me Beogradin, që vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Kosovës që kur e shpalli atë në vitin 2008.

“Partitë opozitare mundin krahun e luftës në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit”, shkruan France24, ku sipas këtij mediumi, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë renditur në vendin e parë dhe të dytin.

Edhe Washington Post shkruan se janë pikërisht partitë opozitare ato, që pas shumë viteve kanë arritur të mundin partitë që ishin në pushtet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version