Telegrafi

Radoniqi: Procesi zgjedhor po shkon në rregull, qytetarët të dalin në votime

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka vizituar qendrat e votimit në veri.

Radoniqi ka qenë i shoqëruar edhe nga anëtarët tjerë të KQZ-së, transmeton Telegrafi.

Kryetari i KQZ-së ftoi qytetarët të dalin në votime.

“Sot si përfaqësues i KQZ-së se bashku me anëtarët tjerë erdhëm me pa qendrat e votimit. Procesi është duke shkuar në rregull, nuk ka ndonjë problem, ftoj qytetarët e katër komunave të dalin në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë. Ne si KQZ kemi ndërmarrë të gjitha masat që procesi të shkojë në rregull.  Siguria është në nivel”, tha ai para mediave.

Sipas Radoniqit, ende s’dihet numri i votuesve që kanë dalë në zgjedhje, teksa shtoi se në këtë qendër në Lagjen e Boshnjakëve kanë votuar 60 persona.

Qytetarët në katër komunat veriore Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë duke votuar sot për kryetarin e ri të komunës.

Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 votues.

Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Kur kanë kaluar tre orë nga hapja e qendrave të votimit, vërehet numër jo i madh i qytetarëve, të cilët po dalin për ta ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Policia e Kosovës gjithashtu po qëndron afër këtyre qendrave, sidomos atyre alternative, të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër.

KQZ ka njoftuar se nga 44 qendra votimi sa janë gjithsej, vetëm 6 prej tyre do të shërbejnë për të njëjtin qëllim, ndërsa 13 të tjera do të hapen në kontejnerë, si qendra alternative. /Telegrafi/