Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të enjten ka akredituar 357 vëzhgues të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin zgjedhor më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili po ashtu tha se vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte politike, media, OJQ dhe përfaqësi të huaja që janë të vendosura në vendin tonë.
Sipas tij, numri i vëzhguesve që përfaqësojnë subjektet politike është 75, ndërsa në emër të OJQ-ve të ndryshme numri i tyre është 109, dhe dy vëzhgues përfaqësojnë një ambasadë.
“Për këtë proces zgjedhor janë akredituar edhe një numër mediash vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 170 përfaqësues”, tha ndër të tjera zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. /Telegrafi/