Site icon Telegrafi

Zgjedhjet në SHBA, Kurti fton shqiptarët që ta votojnë Joe Biden

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur hapur për zgjedhjet në SHBA.

Përmes një video-mesazhi në llogarinë e tij në Facebook, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Amerikës, që ta votojnë për demokratin Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në nëntor të këtij viti.

Sipas tij, një votë për Biden, është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.

“Për shqiptarët në të gjithë Shtetet e Bashkuara, po ju drejtohem sot,  për t’ju nxitur që të votoni për Joe Biden në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Një votë për Joe Biden është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë, të cilat gjithmonë kanë lidhur Shtetet e Bashkuara, Kosovën dhe diasporën shqiptare si aleatë të përkushtuar”, tha ish kryeministri.

Kurti ka thënë se Biden është mik i vërtetë i shqiptarëve, derisa ka përmendur rolin e tij në vitet 1990.

“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishtë ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës; dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës” ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, Biden ishte ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit.

Exit mobile version