Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Serbët nga Kosova në mëngjesin e së dielës janë nisur me autobus e vetura nga veriu i Mitrovicës për në Rashkë.
Në lidhje me këtë çështje zëdhënësi i policisë për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti për Telegrafin tha se gjendja në veri është e qetë.
“Gjithçka është në rregull në veri të Kosovës, nuk ka incidente dhe nuk ka asgjë jashtë normales, serbët kanë hipur në autobusë dhe janë nisur drejtë Serbisë siç edhe është raportuar nga mediat”, tha Hoti.
Në anën tjetër Policia e Kosovës ka njoftuar që në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë shkaktuar kolona dhe pritje si pasoj e punës së ngadalësuar të autoriteteve serbe.
“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, thuhet në njoftimin e policisë./Telegrafi/