Telegrafi

Zgjedhjet në Britani: Laburistët fitojnë bindshëm, Sunak e pranon humbjen

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, me anë të një fjalimi ka pranuar humbjen e tij ndaj Partisë Laburiste.

“Kam telefonuar Sir Keir Starmer për t’ia uruar fitoren”, tha Sunak.

“Më shumë për rezultatet do të them në Londër, para se të largohem nga detyra si kryeministër, së cilës i kam dhënë gjithçka”, përfundoi ai.

Ndërkohë, Sunak e mori përgjegjësinë edhe për disfatën e partisë së tij dhe kërkoi falje, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Ka shumë gjëra nga të cilat duhet të mësojmë dhe për të cilat duhet të reflektojmë dhe unë e marr përgjegjësinë për humbjen”, tha ai.

Ndryshe, Partia Laburiste ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare nga Partia Konservatore.

Laburistët e qendrës së majtë e kanë fituar shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlamentin britanik që përbëhet prej 650 vendesh, ndërsa Partia Konservatore e Rishi Sunakut e ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.

Duke folur vetëm pak minuta pasi fitorja e Laburistëve u konfirmua, Starmer u tha turmave se “ndryshimi fillon tani”.

“Ju keni bërë fushatë për të, keni luftuar për të dhe tani ajo ka ardhur”, tha Starmer, i cili shtoi se me mandatin e ri të Laburistëve vjen edhe një “përgjegjësi më e madhe”. /Telegrafi/