Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se sot do të nis aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, për zgjedhjet lokale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Telegrafin, se afati i aplikimit përmbyllet më 18 gusht 2021.
“Sot, më 10 korrik ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale. Afati për aplikim përmbyllet më 18 gusht 2021. Gjatë kësaj periudhe 40 ditore, shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, ka deklaruar Elezi.
Elezi ka shtuar se informacionet e detajuara dhe si të aplikohet për regjistrim janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së (www.kqz-ks.org) në pjesën: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës.
“Të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 15 shtator dhe përfundon më 15 tetor 2021”, u shpreh ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021. Ndërkaq disa nga partitë tashmë kanë zyrtarizuar disa kandidatë për kryetar komunash.
E vetmja nga subjektet politike që deri tash nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat është Lëvizja Vetëvendosje. /Telegrafi/