Site icon Telegrafi

Zgjedhjet lokale, opozita shënon fitore në qytetet kryesore të Turqisë

Partia kryesore opozitare e Turqisë ka arritur fitore të mëdha zgjedhore në qytetet kryesore, atë të Stambollit dhe Ankarasë.

Dhe siç vlerëson BBC, rezultatet janë një goditje për Rexhep Tajip Erdogan, i cili kishte shpresuar të rimarrë kontrollin e qyteteve më pak se një vit pasi ai pretendoi një mandat të tretë si president, përcjell Telegrafi.

Ai drejtoi fushatën për të fituar në Stamboll, ku u rrit dhe u bë kryetar bashkie.

Por Ekrem Imamoglu, i cili fitoi për herë të parë qytetin në vitin 2019, shënoi një fitore të dytë për opozitën laike CHP.

Erdogan ishte zotuar për një epokë të re në megaqytetin e Turqisë me pothuajse 16 milionë banorë, por kryetari aktual i Stambollit ishte në rrugën e duhur për të fituar më shumë se 50% të votave, mbi 10 pikë përpara kandidatit të presidentit të Partisë AK.

Kjo ishte gjithashtu hera e parë që kur Erdogan erdhi në pushtet 21 vjet më parë që partia e tij u mund në të gjithë vendin në kutitë e votimit.

Në kryeqytetin Ankara, kryebashkiaku i opozitës Mansur Yavas ishte aq shumë përpara rivalit të tij me 59% sa që shpalli fitoren kur kishte më pak se gjysma e votave. Mbështetësit bllokuan të gjitha rrugët kryesore në qytet, duke valëvitur flamujt dhe duke u rënë borive të makinave.

Në mënyrë domethënëse, CHP ishte gjithashtu në rrugën për të fituar në shumë nga qytetet e tjera të mëdha të Turqisë, duke përfshirë Izmirin dhe Bursa, Adanan dhe vendpushimin e Antalias.

Presidenti Erdogan, 70 vjeç, pranoi se zgjedhjet nuk kishin shkuar siç kishte shpresuar, por ai u tha mbështetësve në Ankara se do të shënonte “jo një fund për ne, por një pikë kthese”.

Ai është mbështetur gjithmonë në “vullnetin e popullit” për autoritetin e tij dhe u tha mbështetësve se do të respektonte edhe tani elektoratin.

Gjatë fushatës zgjedhore, Erdogan tha se kjo do të ishte e fundit e tij, sepse mandati i tij presidencial përfundon në vitin 2028. /Telegrafi/

Exit mobile version