Site icon Telegrafi

Ekskluzive, zgjedhjet lokale mbahen më 17 tetor

Zgjedhjet lokale do të mbahen në vjeshtë të këtij viti, ndërsa Telegrafi merr vesh se ato do të mbahen më 17 tetor.

Partitë politike tashmë kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, ndërsa ditë më parë presidentja ka nisur konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve.

Telegrafi merr vesh se tashmë është caktuar data e zgjedhjeve lokale dhe ajo është 17 tetori.

Mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 17 tetor tashmë e ka konfirmuar edhe Presidenca e Kosovës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës ka caktuar 17 tetorin 2021, datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Me të njëjtin vendim, Presidentja Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani javë më parë ka përfunduar takimet me subjektet politike parlamentare, ku është diskutuar për datën e zgjedhjeve lokale.

Në takime ndaras, Osmani ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u.d. kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfaqësuesin AAK-së, Besnik Tahiri, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe me partitë e komuniteteve joshumicë: Vakat, RI, PAI, KDTP, IRDK, SDU, NDS, JGP dhe LPRK.

Lëvizja Vetëvendosjes përmes një komunikate të lëshuar për media ka bërë të ditur se kreu i partisë, Albin Kurti ka kërkuar që data për zgjedhjet lokale të caktohet sa më shpejt e ato të mbahen sa më parë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që data 31 tetor të shpallet ditë e zgjedhjeve lokale.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk ka pasur preferenca datash sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Ndryshe, ditë më parë në një konferencë për media u tha se Komisioni Qendror i Zgjedhje është gati për të organizuar zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Organizimi i tyre pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 7.5 milionë euro, ku në këtë shumë është përfshirë edhe balotazhi në të gjitha komunat e vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version