Zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kanë bërë që partitë politike t’i përvishen punës për të prezantuar para qytetarëve kandidatët për kryetar komunash.
E kur jemi te përgatitjet që kanë filluar tash e sa kohë, partitë politike si PDK, LDK, AAK dhe të tjera kanë zyrtarizuar disa kandidatë nëpër komuna. Ajo e cila deri më tash nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat mbetet Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Telegrafi.
Zgjedhjet e tetorit pritet që të sjellin gara interesante në shumë komuna, por fokusi mbetet në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës. Përveç Prishtinës, fokusi do të jetë edhe në qytetin e Prizrenit.
Për kryetar të kësaj komune për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, deri tash janë zyrtarizuar tre kandidatë nga PDK,LDK dhe Nisma. Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që garës për Prizrenin t’i hyjë me Shaqir Totajn.
Zyrtarizmin e kandidaturës së Shaqir Totaj e bëri, u.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj. Hoxhaj tha se qytetarët e Prizrenit duhet t’i thonë mjaft zhgënjimit dhe mashtrimit për katër vitet e fundit nga kryetari aktual, Mytaher Haskuka.
Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Prizren, ka konfirmuar kandidaturën e Anton Qunit, për kryetar të ardhshëm të kësaj komune. Dega e LDK-së në Prizren ka thënë se kryesia e kësaj partie ka vendosur unanimisht ta propozojë Qunin për kryetar të Prizrenit.
E kandidati tjetër i zyrtarizuar tashmë është dhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate. Berisha ditë më parë në një prononcim për Telegrafin kishte konfirmuar kandidimin e tij për kryetar të Prizrenit.
“Po, veç kam filluar përgatitjet sepse ndjej një obligim për t’ia kthyer dinjitetin qytetit të Prizrenit i cili është degraduar shumë keq nga qeverisja e Mytes dhe LVV-së”, kishte deklaruar Berisha.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për kryetar të Prizrenit.
Nga LVV-ja deri më tash janë përfolur si kandidatë të mundshëm Mytaher Haskuka, Drita Millaku dhe Hajrulla Çeku, kurse nga AAK ende mbetet enigmë se kush mund të jetë kandidat. /Telegrafi/