Rreth 20 kandidatë që ishin në garë zgjedhore në vitin 2017 do të rikandidojnë edhe këtë herë.
Nga Lëvizja Vetëvendosje pas katër vjetësh Suharekën e synon edhe njëherë Sali Zyba, njësoj si Agron Avdiaj, Istogun e Visar Korenica Rahovecin.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës u’a besoi garën katër kandidatëve të njëjtë, Sokol Bashota pretendon Klinën, Ferit Idrizi Vushtrrinë, Fatos Shala Junikun, e Shaqir Totaj garon për të marrë më tepër vota, ngase garën në balotazh e kishte humbur për më pak se 1 përqind.
Totaj i tha Klan Kosovës se përparësia e tij tash do jetë edhe dëshmia e keqqeverisjes së Mytaher Haskukës.
As Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mbeti pa rivënë pretendentë që nuk fituan.
Nga kjo parti garon Besim Hoti për Klinën, Bajrush Ymeri për Novobërdën e Mehmet Krasniqi për Obiliqin. Nga vendi i tretë në të parin synon te dal edhe Shkëlqim Jakupi në Kaçanik që thotë se nuk kishte nevojë për ndryshime të mëdha në program, ngase problemet e katër viteve më parë vazhdojnë të jenë të pazgjidhura nga qeverisja aktuale.
Megjithëse nuk mori as tre për qind të votave, gara për Drenasin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i’u besua sërish Arta Ahmeti-Xhylanit e cila u shpreh e bindur se do lë pas Ramiz Lladrovcin e kandidatin tjetër që doli nga strukturat e PDK-së.
Katër kandidatë i futi sërish në garë edhe NISMA, Albert Sermaxhaj është pretendent për Kamenicën, Fazli Hoxha për Gjakovën, Xhemajl Hasani për Podujevën, e në Prizren sërish garon Zafir Berisha që është i bindur se do jetë në balotazh me një nga kundërshtarët politk.
Nga nënkryetar në kryetar synon të ngritët në pozitë Selim Pacoli, nga Aleanca Kosova e Re, që edhe njëherë i hyri garës për të parin e Prishtinës.