Site icon Telegrafi

Zgjedhjet e shpeshta penguan reformën zgjedhore në Kosovë

Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur konferencën rajonale “Sfidat dhe praktikat rajonale në reformimin e sistemit zgjedhor”, ku u tha se zgjedhjet e shpeshta në këto dhjetë viteve e fundit po e pengojnë reformimin e sistemit zgjedhor.

Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së, tha se zgjedhjet e shpeshta në këto dhjetë viteve e fundit po e pengojnë reformimin e sistemit zgjedhor.

“Kemi punuar për reformimin e sistemit zgjedhor nga viti 2010 deri në vitin 2013, kujtoj se nga viti 2014 janë përfshirë dhe akterë tjerë në këtë çështje, si nga grupet parlamentare punuese, shoqëria civile, organizata ndërkombëtare. Kemi një draft shumë të mirë të punuar që është në arkiva të parlamentin e Kosovës, bëjë thirrje që anëtarët përgjegjës t’i nxjerrin nga arkiva këto dokumente për të pasur një reformim të sistemit”, ka thënë Kryeziu.

Ai më tej tha se janë disa segmente që duhet ndërhyrë në reformë zgjedhore, duke filluar nga zona zgjedhore, e pragu elektoral.

Ambasadori i OSBE-së, Jan Braathu tha se reforma mund të arrihet vetëm përmes konsensusit ndërmjet partive politike.

“Më lejoni të theksoi se në qoftë se paraqitet nevoja për të pasur zgjedhje të parakohshme, të papritura, këto zgjedhje besoj dhe duhet të ndodhin me legjislacionin aktual,  nuk duhet të kushtëzohet me mos zgjedhje të reja për shkak të reformës zgjedhore, reforma merr kohë” shtoi ai, raporton KP.

Ndërsa, kryetarja  e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka shprehu keqardhje se tash e tetë vite nuk është përmbyllur procesi i reformës zgjedhore.

“Kësaj reforme mendoj se duhet t’i nënshtrohet së pari votimi me kusht, emërimi i anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, mënyra e numërimit të fletëvotimeve, apo shumë çështje të tjera të cilat sigurisht mund t’i debatojmë gjatë reformës. Reforma zgjedhore duhet të siguroj integritetin e zgjedhjeve të ardhshme se vetëm kështu mund të sigurojmë zgjedhje të lira, demokratike”,  përfundoi Daka.

Exit mobile version