LDK sot ka zyrtarizuar kandidatin e saj në garën për kryetar të Komunës së Podujevës, por të njëjtën ende nuk e kanë bërë partitë e tjera në këtë komunë, kurse afati për paraqitjen e kandidatëve në zgjdhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës është deri më 17 shkurt.
Formimi i Qeverisë Kurti në të cilën mori postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Agim Veliu, e la Komunën e Podujevës pa kryetar.
Agim Veliu dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Podujevës, menjëherë pasi pranoi postin e ministrit, duke i lënë rrugën hapur presidentit Hashim Thaçi i cili shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë.
Afati që partitë të bëjnë të ditur kandidatin për garën e zgjedhjeve në Podujevë të cilat do të mbahen me 15 mars, përfundon të hënën e 17 shkurtit, pikërisht në ditën e festës së 12-vjetorit të Pavarësisë se Kosovës.
Deri më tani, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë kanë zyrtarizuar tashmë emrin e kandidatit për kryetar partie, ndërsa partitë tjera ende nuk kanë emrat e kandidatëve të tyre.
Nexhmi Rudari do të jetë kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës gjatë këtyre zgjedhjeve, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë bërë të ditur për Telegrafin se ende nuk i kanë zgjedhur kandidatët e tyre për këto zgjedhje.
Bajram Ajeti, nga dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë ka thënë për Telegrafin se ata i kanë shpallur zgjedhjet e brendshme të partisë, dhe pritet që gjatë ditës së diel të bëhet i ditur edhe emri i kandidatit apo kandidates që do të garoj për kryetar/e komune.
“Ne i kemi shpallë zgjedhjet e brendshme dhe afati i kandidatit është deri sot pas dite, njëherë i kemi zgjedhjet e brendshme, kështu që emër nuk kemi akoma. Por nesër besoj pas verifikimit do të kemi emrin apo emrat e kandidatit apo kandidates për kryetar komune”, tha Ajeti.
Kurse, Latif Gashi nga PDK-ja gjithashtu tha se strukturat e degës së PDK-së në Podujevë janë në konsultime dhe nesër do të kenë zyrtarisht një emër.
“Besoj që sot ose nesër dalim me një kandidat, janë në konsultime strukturat e degës, dhe besoj që nesër do të kemi emrin e kandidatit të PDK-së për kryetar të Podujevës”, tha Gashi.
Kryetarja e degës së AAK-së në Podujevë, Mrika Thaçi tha se në degën e AAK-së në Podujevë janë duke mbajtur mbledhje dhe duke diskutuar për këtë çështje, por Thaçi tha se deri të hënën kjo parti nuk do të bëj të ditur emrin e kandidatit.
“Në takim jemi ende, nuk kemi një emër të caktuar për kandidat, por që të hënën paradite do të dalim me një njoftim ku edhe do të japim emrin e kandidatit të AAK-së për kryetar të Komunës”, tha Thaçi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi para një jave Planin Operacional të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës që do të mbahen me 15 mars 2020.
Sipas KQZ-së koha se kur subjektet politike dhe kandidatët duhet të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje fillon 8 shkurt dhe përfundon më 17 shkurt.
Tërheqja e shortit, pra dita kur subjektet politike dhe kandidatët do të mësojnë renditjen e tyre në fletëvotim, është planifikuar të bëhet më 2 mars. Ndërkaq, një ditë më vonë, pra duke filluar nga 3 marsi është vendosur data e fillimit të fushatës zgjedhore, e cila përfundon më 13 mars.
Disa nga njoftimet e rëndësishme të KQZ-së për këto zgjedhje janë:
-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues jashtë Kosovës fillon më 16 shkurt dhe përfundon më 23 shkurt 2020
-Periudha e votimit përmes postës fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020;
-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues me nevoja të veçanta fillon më 26 shkurt dhe përfundon më 1 mars 2020;
-Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020;
-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 10 mars 2020;
-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 12 mars 2020;
-Periudha për formimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 14 shkurt 2020;
-Periudha për formimin e Këshillave të Vendvotimit fillon më 25 shkurt dhe përfundon më 6 mars 2020. /Telegrafi/