Misioni i Vëzhguesve të Zgjedhjeve të 6 tetorit nga Bashkimi Evropian, ka vlerësuar se këto zgjedhje kanë qenë të administruara mirë dhe transparente.
BE ka vlerësuar se dita e zgjedhjeve ka shkuar në rregull por se procesi i numërimit vuri në pah disa probleme të cilat duhet të adresohen në reformën zgjedhore në Kosovë.
Në raportin final të cilin vëzhguesit evropian e publikuan sot mes tjerash u tha se ka pasur keqpërdorim të resurseve publike dhe mungesë të transparencës në financimin e fushatës nga partitë politike.
Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, njëherit deputete e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubade, theksoi presionin në zonat e banuara nga komuniteti serb për të votuar një parti të caktuar.
Krahas saj ajo theksoi se kredibiliteti i numërimit të votave dhe vonesat në certifikim janë bërë nga mos marrja e vendimeve me kohë të KQZ-së dhe kundërthëniet e vendimeve mes Gjykatës Supreme dhe PZAP.
Viola von Cramon-Taubade i paraqiti edhe 23 rekomandime për reformën zgjedhore në Kosovë, që sipas saj do të përmirësonin zgjedhjet në vend. /Telegrafi/