Reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe dekriminalizimi kanë qënë në fokus të takimit të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta me ambasadorin amerikan Donald Lu.
Kjo u konfirmua nga vetë kreu i Kuvendit në një dalje për mediat ku konfirmoj dhe njëherë vullnetin për bashkëpunimin për zbatimin e reformës në drejtësi. Në takim tha ai u theksua dhe rëndësia e standardit të zgjedhjeve të ardhshme dhe përpjekjet për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Takimi u fokusua në rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme, standardit të tyre dhe në përpjekjen që duhet bërë për të mbyllur reformën zgjedhore në përputhje dhe me rekomandimet e OSBE-ODIHR, po dhe rëndësinë e vazhdimit të procesit të dekriminalizimit si mjaft jetik për standardin e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Meta.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar përmes një njoftimi online: “Ambasadori Donald Lu dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilluan një takim pozitiv sot. Ambasadori Lu u angazhua të vazhdojë të punojë ngushtë me parlamentin për zbatimin e reformës në drejtësi. Ambasada e SHBA ka besim të madh që me mbështetjen e Kryetarit të Kuvendit Meta, Shqipëria do të realizojë këtë reformë historike për të gjithë shqiptarët. Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori Lu diskutuan gjithashtu edhe për rëndësinë e reformës zgjedhore dhe procesin e dekriminalizimit”. /Telegrafi/