Site icon Telegrafi

Zgjedhjet, Civil: Tentime për blerje të votës, çmimi shkon deri në 1 mijë denarë (Video)

Janë vërejtur aktivitete në terren për shit-blerje të votës, të cilës, sipas sektorit civil, i është rritur vlera në para në këtë cikël zgjedhor. Qendra për liri, Civil ka vërejtur fillim të parakohshëm të fushatës, gjuhë të urrejtjes, shfrytëzimin e fëmijëve në aktivitete politike dhe njoftime për prishje të heshtjes zgjedhore në ditën e zgjedhjeve.

“Jemi të njoftuar për disa raste në disa vendbanime se përgatitet blerje votash nga struktura të caktuara politike. Blerja e votës, siç mësojmë, më nuk është 500 denarë por është rritur çmimi i votës dhe kjo arrin shumën prej 1000 denarësh ose edhe më shumë në ditët para votimit. Partitë politike i shfrytëzojnë të gjithë boshllëqet në Kodin Zgjedhor që të mund t’i ikin procedurës standard dhe demokratike të bindjes së votuesve për të votuar për një kandidat ose për një tjetër”, tha Xhabir Deralla, Qendra për Liri Civil.

Kreu i KSHZ-së Oliver Derkoski thotë se Kodi Zgjedhor ka pësuar më shumë se 30 ndryshime dhe si pasojë duhet një ligj komplet i ri. Ai kërkon të rregullohet çështja e votimit në diasporë dhe të vazhdohet me përpjekjet që personat me aftësi të kufizuar të mund të realizojnë pa pengesa të drejtën e votës.

“Për këtë cikël zgjedhor do të bëhen shpenzime me vlerë prej pothuajse 30 milion denarësh për 1782 persona të cilët janë paraqitur për të votuar në diasporë kurse me siguri nuk do të votojnë të gjithë. Do të votojnë gjysma ose rreth 1 mijë persona. Vota nga diaspora do të jetë më e shtrenjta. Kjo sjellë një dilemë të cilën në periudhën e ardhshme duhet patjetër ta zgjidhim. Por, unë nuk jam që t’u merret e drejta e votës qytetarëve tanë që janë në diasporë”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Nga zyra e Avokatit të Popullit kërkojnë të rishikohen dispozitat që kanë të bëjnë me të drejtën e votës të personave që nxjerrin letërnjoftim pas shpalljes së zgjedhjeve si dhe për të burgosurit dhe të sëmurët, të cilët zakonisht nuk e gjejnë veten në listë.

Është kategoria e qytetarëve të cilët ribëjnë letërnjoftimet ose nxjerrin letërnjoftime në periudhën pas shpalljes së zgjedhjeve ose të referendumit ose personat të cilët në atë periudhë mbudhin 18 vjet. Nuk është numër i vogël por asnjë prej atyre nuk mund ta realizojë të drejtën e votës. Segmenti i dytë është problem i cili nga viti në vit përsëritet dhe kjo është realizimi i të drejtës së votës i personave që ndodhën në burg ose paraburgim – u shpreh Zoran Bilbilovski, këshilltar i Avokatit të Popullit.

Nga Ministria e Shoqërisë Informatike thonë se punojnë në heqjen e fenomenit të keqpërdorimit të administratës publike në fushatë dhe presioneve ndaj tyre në prag të zgjedhjeve. Ky institucion bën apel të të punësuarit në administratë të paraqesin rastet e presioneve dhe keqpërdorimeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet./Alsat/

Exit mobile version