Udhëheqësi i Koresë së Veriut ka ardhur në Singapor në atë që ka qenë një skemë e koordinuar, e mbushur me mistere.
Dhe misteri i parë që e ka shoqëruar këtë rrugëtim, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është se në vend që të fluturojë në rrugën Pyongyang-Shanghai-Singapor që merr rreth gjashtë orë e gjysmë, por kalon mbi det, Kim Jong-un fluturoi nëpërmjet Pekinit, e cila zgjati rreth 10 orë.
Ndonëse ka hipoteza të shumta, ajo më e afërta thuhet të jetë se kjo është bërë për të mbrojtur më mirë udhëheqësin, pasi rrugët përtej detit janë më të vështira për t’u mbrojtur.
Madje, siç bëhet e ditur më tej, për të siguruar më tej fshehtësinë e itinerarit të saktë të liderit, tre aeroplanë u nisën nga Koreja e Veriut në intervalin kohor prej rreth 1 orë: një Ilyushin IL-76, një Air China Boeing 747 dhe një Ilyushin IL-62.
Sipas FlightRadar24, një faqe interneti që ndjek fluturimet e aeroplanëve të ndryshëm, mijëra njerëz ndoqën përparimin e aeroplanit të Kim Jong-un.
Një burim diplomatik në Singapor tha se “Tension ishte shumë i lartë në Korenë e Veriut, prandaj ekzistonte edhe fshehtësia”.
Siç thuhet më tej, i pari që arriti në Singapor ishte aeroplani i transportit IL-76 që mbante ushqime dhe sende të tjera të udhëheqësit koreanoverior, si dhe limuzina e tij anti-plumb dhe një tualet portativ.
“Mbajtja e tualetit, përkatësisht jashtëqitjes së tij larg vë në dyshim statusin e tij shëndetësor”, citohet të ketë thënë Lee Yun-keol, një i arratisur, i cili më parë ishte një komandë roje e Koresë së Veriut.
Ai vazhdoi të thoshte se, në vend që të përdorte një banjë publike, udhëheqësi ka një tualet personal që e ndjek atë kudo që udhëton.
Të dielën, kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong u takua me Kim pas mbërritjes së këtij të fundit në vend për bisedimet e ardhshme me Trump, të planifikuara për të martën.
Samiti SHBA-Korenë e Veriut do të shënojë takimin e parë të udhëheqësve të dy vendeve.
Bisedimet e parashikuara ishin vënë në rrezik kur, më 24 maj, Trump njoftoi se po anulonte takimin me Kim për shkak të retorikës armiqësore të Pyongyang. /Telegrafi/