Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka reaguar pas rastit që ndodhi mbrëmë (e diel) ku trajneri i taekwondos, Valmir Fetiu, e goditi me shuplakë një garuese tetë vjeçare, e cila më vonë u mësua se ishte vajza e tij.
Osmani e dënoi këtë incident duke thënë se është një shkelje e rëndë e parimeve të edukimit sportiv dhe kujdesit për fëmijët.
Tutje ajo ka bërë thirrje ndaj institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për ta adresuar rastin në fjalë.
Reagimi i plotë i Osmanit:
“E dënojmë rëndë incidentin e dhunës në sportin e taekwondos, ku trajneri godit me shuplakë një sportiste 8-vjeçare, thjesht sepse humbi në garë”.
“Ky rast i dhunës është shkelje e rëndë e parimeve të edukimit sportiv dhe të kujdesit për fëmijët. Kjo sjellje është e papranueshme dhe nuk përfaqëson asgjë që sporti duhet të jetë – hapësirë për zhvillim, mbështetje dhe frymëzim për të rinjtë”.
“Përderisa Federata Evropiane e Taekwondos ka ndërmarrë masa ndaj trajnerit, Këshilli Kundër Dukurive Negative në Sport ka proceduar rastin në prokurorinë kompetente dhe i ka kërkuar Federatës së Taekwondos të Kosovës të veprojë menjëherë për të shqyrtuar veprimtarinë e trajnerit në sistemin sportiv”.
“I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të ndërmarrin masa të shpejta për të adresuar rastin në fjalë dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”.
“Dhuna nuk ka vend në asnjë sport, veçanërisht ndaj fëmijëve që janë ende duke u zhvilluar dhe kanë nevojë për mbështetje, jo për frikësim. Është detyra jonë të krijojmë ambient të sigurt, ku fëmijët ndihen të lirë dhe të frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre sportive”, thuhet në njoftimin e Osmanit.
Kujtojmë se për këtë akt të kryer, Fetiu është suspenduar për gjashtë muaj dhe nuk do të ketë të drejtë ta ushtrojë profesionin e tij as në garat kombëtare as në ato ndërkombëtare./Telegrafi/