Telegrafi

Zëvendësministrja e Mbrojtjes Bici pret komandantin e FSK-së, Shqipëria do të rrisë numrin e trupave në misionin e KFOR-it

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Dallëndyshe Bici priti sot në një takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes, Bizi e uroi gjeneral Jasharin për marrjen e detyrës së re dhe e përgëzoi atë për përparimet shumë pozitive që ka bërë FSK, kryesisht me ndihmën e aleatit të përbashkët strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëvendësministrja e njohu ushtarakun e lartë nga Kosova me vendimin e qeverisë shqiptare për të shtuar trupat shqiptarë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bici dhe Jashari folën edhe për planin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, i cili përmban 50 aktivitete, kryesisht kurse, trajnime dhe stërvitje të përbashkëta.

Lexo po ashtu Gradohet komandanti i FSK-së Bashkim Jashari

Ata gjithashtu vlerësuan faktin që kadetë nga Shqipëria studiojnë në Qendrën Stërvitore të FSK dhe kadetë nga Kosova ndjekin studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Gjatë vizitës së tij, komandanti i FSK u prit në takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj. /Telegrafi/