Site icon Telegrafi

Zëvendësministri Vokrri flet për “izolimin” e tij brenda komunës së bashku me Lulzim Hetemin: Nuk kam parë ndërtesë më luksoze e të pajisur

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka rrëfyer emocionet e tij pas 9 ditësh “izolimi” në zyrën e kryetarit të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Ai fillimisht ka falënderuar heronjtë e kësaj situate, policinë e Kosovës dhe kryetarin, Lulzim Hetemi.

“Fillimisht duhet të u jepen kredi morale, vlera atyre qytetarëve, Policisë së Kosovës që po e përballojnë situatën atje, që jo vetëm tani pas këtyre zgjedhjeve, po edhe më herët për shkak të tensionimit për targa të veturave, ndodhen në operacione që qëndrojnë me orë të gjata pa u kthyer disa ditë në shtëpi. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj përzemërsisht”, ka thënë Vokrri në RTV Dukagjini.

Ndërsa, heroi stoik sipas tij, ka qenë Hetemi, i cili është anëtar i familjes së dëshmorëve dhe që sipas tij u ka dhënë të gjithëve zemër aty brenda “izolimit” në komunë.

“Njeri i qartë, stoik, shumë i vendosur, nuk lejon që të duket i mërzitur ose i brengosur, na jep të gjithëve zemër. U jepte zemër edhe pjesëtarëve të policisë”, ka vijuar Vokrri.

Ai ka rrëfyer se si ka qenë rutina e ushqimit dhe nevojave të tjera ditore brenda komunës, të cilat Vokrri ka thënë se janë kryer në mënyrë normale.

Lexo po ashtu Largohet pas 9 ditësh qëndrimi brenda objektit të Komunës së Leposaviqit, flet zëvendësministri i MAPL-së

“Mëngjesi fillonte, e kishim një kthinë brenda zyrës së kabinetit të kryetarit, deri më tash nuk kam parë ndonjë ndërtesë më luksoze dhe më të pajisur, ndërtesë shumë e rregulluar, me shumë hapësirë, katër kate, 10 zyre për kat, shumë prej pajisjeve ende të papërdorura, por i mungonin banjot për të bërë dush, e kemi improvizuar”.

Ai ka treguar tutje se edhe menyja e ushqimit ka qenë e pasur dhe e larmishme ndonëse ishin të izoluar brenda.

“Kishte byfe, për kuriozitetin e juaj, pjesëtarët e policisë ishin të shkathët në përgatitjen e gjellave. Menyja ka qenë, furnizimet kanë qenë të mira, nuk ka pasë probleme me ushqime”.

Ndryshe, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka mbetur brenda objektit të kësaj komune, që nga 26 maji që kur tensionet në veri u rritën në veri pasi krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet, 30 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Exit mobile version