Ministria e Shëndetësisë, të shtunën njoftoi për vendimin për masa të reja që janë ndërmarrë kundër pandemisë COVID-19, ku ndalohet puna në sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare pas orës 21:00.
E për këtë vendim ka reaguar Shoqata e Gastronomisë përmes një njoftimi duke thënë se, nëse politika vazhdon të ndërhyjë në këtë mënyrë në ekonomi të shtetit, gastronomia do të ketë përmbysje dhe se vështirë që do të rikuperohet.
Përderisa kanë kërkuar nga Qeveria që të vazhdohet me subvencionimin e linjës së pagave të punëtorëve, të fillojnë subvencionimin e qirasë, ndarjen e grandeve, të stimulohet afarizmi në gastronomi dhe krijimi i një pakoje që ka për qëllim mbështetjen e sektorit në pajtim me kërkesat e gastronomisë.
Ndërsa për këto masa ka folur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri.
Në një prononcim për KosovaPress, Tahiri ka thënë se vendimi për kufizim të operimit të sektorit të gastronomisë është marrë si rrjedhojë e rekomandimeve të profesionistëve, ndërsa ka shtuar se përderisa nuk ka vaksinë kundër virusit, duhet të përgatitemi të jetojmë me pandeminë.
“Dje janë marrë disa masa të cilat vijnë si rezultat i rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19, si Qeveri, dhe po ashtu edhe ministri Zemaj. Jemi mirë të informuar me situatën në sektorin privat, në veçanti me atë të gastronomisë, kjo mbyllje vjen si rrjedhojë e rekomandimeve shumë të fuqishme të profesionistëve që në këto rrethana të nisim me këtë fazë. Në këto rrethana përderisa nuk kemi një vaksinë, nuk kemi një veprim të shpejtë të mjekësisë të përgatitemi të jetojmë me pandemi, sikurse që nuk largohet kurrë”, ka thënë Tahiri.
Zëvendëskryeministri Tahiri ka thënë se në fillim të javës do të kenë një takim me Shoqatën e Gastronomeve, të shikohet se çfarë do të bëhet për këtë sektor.
Përderisa ka shtuar se duhet të gjendet një mes që lehtëson funksionalitetin e sektorit privat dhe jetës në përgjithësi.
“Duhet që masat, disiplinën ta shtrëngojmë në masën më të madhe të mundshme, po gjithsesi duke e pasur parasysh sektorin privat. E dimë saktësisht se cila është kërkesa. Besoj që në fillim të javës do të bashkëbisedojmë me shoqatën e gastronomisë. Në mënyrë që të shohim se çka do të mund të bëjmë për ta. Mirëpo, në mes të shëndetit publik, në mes të jetës dhe punës, ne duhet ta gjejmë një mes që e lehtëson dhe e mundëson edhe funksionalitetin e sektorit privat dhe jetës në përgjithësi, por duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë ai.
Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka caktuar një mbledhje të jashtëzakonshme të hënën në ora 14:00 pranë hapësirave të OEK-së, për të shteruar propozimet e anëtarëve të Kuvendit, dhe vendosur lidhur me hapat e ardhshëm që do të ndërmerrën nga ky sektor.
Masat e reja pritet të hyjnë në fuqi ditën e hënë.