Site icon Telegrafi

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë me akuza të ashpra për Albin Kurtin pas reagimit që bëri për vrasjen e Klodian Rashës

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Shqipërisë, Erion Braçe ka kritikuar ashpër kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas reagimit që ky i fundit bëri për vrasjen e Klodian Rashës.

Braçe thotë se Kurti e paraqet vetën si të ishte lart, si shpresë, e sipas tij, shqiptarët i kanë vuajtur shumë idhujt që janë paraqitur të tillë, transmeton Telegrafi.

“Sepse ngjarja e rënde, kriminale, vrasja e Klodian Rashës nga një polic në detyre, e vetmja në 7 vite e 2 muaj. U trajtua ligjërisht që në minutën 1-polici u ndalua, policia dorëzoi të paprekur vendngjarjen, prokuroria mori në dorëzim vendngjarjen, prokuroria udhëhoqi hetimet, prokuroria mori vendimet, prokuroria kërkoi arrestin e policit, gjykata e vendosi. Ministri i Brendshëm mori përgjegjësi politike dhe dha dorëheqje, hetimet vijojnë shpejt dhe të papenguara politikisht në asnjë hap drejt drejtësisë së plote për atë krim. A e mban mend Albin se ata që vranë Arbenin dhe Monin, Astritin në biruce më pas, as u hetuan, as u gjykuan e as u ndëshkuan”, thuhet në reagimin e Braçe.

Tutje, Braçe thotë se Kurti nuk sjell shpresë.

“Kurrë nuk do ja lija në dorë fatin tim një njeriu, qoftë edhe si shprese, ti nuk je Messi në minutën e 123-të, Albin. Unë i besoj demokracisë, ligjit, drejtësisë e barazisë, sistemeve përmes së cilave këto jetësohen, mbërrijnë tek çdo individ pavarësisht bindjeve politike, statusit ekonomik e social, kontrollit demokratik mbi to. Si ka mundësi që ti revoltën e sheh tek fëmijët 10-13 vjeç që sulmojnë e shkatërrojnë infrastruktura publike, bashkëjetese, rregulli, shërbimi, kulturë e historie, te përdorur, komanduar kriminalisht nga një telekomande e portofol politik”, vijon reagimi i tij.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme lideri i LVV-së, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen e Klodian Rashës, duke kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

“Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo”, ka deklaruar Kurti.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie gjatë ndjekjes, pasi ky i fundit dyshoi se ai kishte një armë në dorë. /Telegrafi/

Exit mobile version