Zëvendëskryeministrat Dardan Gashi dhe Famir Limaj kanë takuar të premten drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me të cilët kanë diskutuar për asetet e rëndësishme Brezovica dhe Grandi si dhe për implementimin e Ligjit për Investime Strategjike.
Në këtë takim koordinues përveç zëvendëskryeministrave Gashi e Limaj kanë marr pjesë edhe kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi dhe drejtori i AKP-së, Ekrem Hajdari.
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi tha se kanë diskutuar një numër i çështjeve që lidhen drejt për drejtë me ligjin për investime strategjike.
“Ne jemi të interesuar që të përparojmë me proceset si Brezovica, Grandi, dhe asete të tjera me interes të veçantë. Së bashku besoj që mund të shtyjmë proceset me interes për vendin tonë përpara”, tha zëvendëskryeministri Gashi.
Në fund të takimit palët u dakorduan që të realizojnë edhe një takim të radhës ku do të diskutohen projektet individuale, dhe do të dilet edhe me rezultate konkrete. /Telegrafi/