Pavarësisht se vlera e Bitcoinit dhe e kriptovalutave të tjera është duke u rritur në vazhdimësi, e më të është duke u rritur edhe numri i personave që investojnë madje edhe nga Kosova, investimet në këto kriptovaluta po vlerësohen si të rrezikshme.
Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Lulzim Ismajli në një intervistë për Telegrafin ka thënë se investimi në Bitcoin dhe kriptovaluta të tjera ka rrezikshmëri të madhe.
Sipas tij, ata të cilët bëjnë investime në këto monedha virtuale, rreziqet dhe pasojat i bartin vetë, pasi që ata nuk kanë ku të ankohen.
“Banka Qendrore e Kosovës, i ka vlerësuar me kujdes çështjet e Bitcoinit dhe të kriptovalutave tjera, por duke i parë këto investime që po ndodhin nëpër botë dhe në Kosovë kemi dalë me një komunikatë lidhur me rreziqet që sjellin këto investime, pasi nuk i mbikëqyr dhe nuk i rregullon asnjë autoritet vendor, e as ndërkombëtar”, ka thënë Ismajli.
Ai ka shtuar se investimet të cilat i bëjnë qytetarët e Kosovës në Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera, rreziqet i bartin vet pasi që nuk kanë ku të ankohen për rimbursim të mjeteve në rast të humbjeve.
“Qytetarët të cilët investojnë në këto valuta dhe mund të kenë humbje nuk mund t’i drejtohen institucioneve vendore, për t’i kthyer këto mjete dhe nuk mund të kërkojnë prej institucioneve financiare në vend, që t’ua kthejnë mjetet, sepse BQK-ja nuk rregullon e as nuk e mbikëqyr dhe as nuk i qëndrojnë prapa këtyre kriptovalutave”, tha Ismajli.
Mosmbikëqyrja e kriptovalutave nga ndonjë autoritet bankar dhe financiar sipas tij, i bënë investimet në kriptovaluta shumë të rrezikshme.
“Këshilla e jonë si BQK është që të mos investohet në Bitcoin për shkak të rrezikut që bartë investimi në kriptovaluta”, ka thënë zëvendësguvernatori Ismajli.
Ai gjatë intervistës për Telegrafin ka bërë të ditur se për dallim me parat që përdorim, ku garantojnë shtetet, për Bitcoin dhe kriptovaluta nuk garanton askush.
“Paraja në letër që ne e përdorim është e emituar prej shteteve. Për shembull, euro prodhohet prej shteteve evropiane dhe kontrollohet prej tyre,e cila gjatë gjithë kohës është e mbështetur në fuçinë ekonomike të një vendi, por ka raste që shtetet garantojnë edhe me ari. Ndërsa për Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera nuk ka një autoritet mbikëqyrës dhe autoritet që e ka lëshuar këtë kriptovalutë”, ka thënë Lulzim Ismajli, zëvendësguvernator i BQK-së. /Telegrafi/