Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të mërkurën është takuar në Strasbourg me zëvendës-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Bislimi ka bërë të ditur se Berge, e mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikim në Këshill të Evropës.
“I kënaqur që takova Bjorn Berge gjatë qëndrimit në Strasburg, që mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës. Diskutimi ynë u fokusua edhe në vënien në pah të progresit të Kosovës, reformat dhe harmonizimin me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka shkruar Bislimi.
Por ndaj deklaratës së Bislimit ka reaguar zëvendës-sekretari Berge.
Berge konsideron se ajo çfarë është biseduar me Bislimin, nuk qëndron në përshkrimin që ky i fundit e ka bërë në statusin në Twitter.
“Fatkeqësisht, ky nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në Këshillin e Evropës”, ka thënë Berge.
Edhe faqja zyrtare e Francës në Këshillin e Evropës në Twitter ka pëlqyer postimin e zëvendës-sekretarit gjeneral të Këshillit.
E ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, huqjen e Bislimit e ka quajtur skandal.
Ajo tha se deklarata e Bislimit ka dëmtuar rëndë agjendën e Kosovës.
Sipas Çitakut, ky veprim është mungesës e profesionalizmit, dhe përpos që është skandal, është edhe e dëmshme për Kosovën.
“Me një tweet, zëvendëskryeministri Bislimi dëmtoi rëndë një agjendë jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën”, tha ajo. /Telegrafi/
This is regrettably not a correct description of what I stated in the meeting in regard to a possible application to the CoE. https://t.co/2RQ3vHIXfV
— Bjørn Berge (@DSGBjornBerge) March 10, 2022