Site icon Telegrafi

Zeqiri reagon pas shkarkimit: “Puç” i përgatitur prej kohësh

Sindikata e Policisë së Kosovës ka votuar të dielën për shkarkimin e kryetarit Imer Zeqiri.

Për shkarkimin e tij, Zeqiri e kuptoi nga mediat.

Ai përmes një reagimi publik ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar për këtë takim, dhe se sipas tij është bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen e tij.

“Unë nuk kam qenë i njoftuar për një takim të tillë, i bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen time, dhe si i tillë është në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës si dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike për një strukturë të tillë”.

“Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë”.

Ai thotë se në vendimin e shkarimit nuk është dhënë asnjë arsye.

Lexo po ashtu Shkarkohet kryetari i sindikatës së Policisë së Kosovës

“Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike? Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi”.

Zeqiri thotë se është e pandershme që të votohet pa praninë e tij.

“Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?! Në një proces të rregullt me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, jo kështu pas shpine”.

Zeqiri tha se shkarkimi i tij është në kundërshtim me Statutin, i cili tha se ka synim për “puç”.

Lexo po ashtu Suspendimi i kryesindikalistit, BSPK mbështet Sindikatën e Policisë së Kosovës

“Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj. Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim”, ka thënë ai./Telegrafi/

Exit mobile version