Emri i Gianni De Biasit vazhdon të mbetet shumë i përfolur përtej Adriatikut.
Walter Zenga ish portieri legjendar i Interit dhe përfaqësues së kaltër vë bast, madje është i bindur se De Biasi do të jetë trajneri i ardhshëm i Italisë duke pasuar kështu në stolin e 4-herë kampionëve të Botës, Antonio Conten, i cili do të largohet pas përfundimit të Euro 2016-të.
Në një intervistë për Sport Mediaset, Zenga la të kuptohet se De Biasi do të jetë trajneri i ri i përfaqësueses së kaltër.
Por për 57-vjeçarin interesohet edhe Lazio. Simone Inzaghi me shumë gjasa do të largohet nga drejtimi i klubit bardhekaltër në përfundim të këtij sezoni, dhe siç raporton e përditshmja italiane “Il Messaggero”, përveç Cesare Prandellit dhe Sinisa Mihajlovic një kandidaturë e fortë për t’u ulur në bankinën e Lazios është edhe De Biasi.
59-vjeçari është nënkontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në vitin 2017-të, megjithatë ky fakt nuk e pengon aspak presidentin e Lazios, Claudio Lottito të shfaqë haptazi interesin e tij për De Biasin, transmeton Supersport.
Edhe pse për momentin Prandelli dhe Mihajlovic janë më të avantazhuar numri 1 i stolit të Shqipërisë ka shanset e tij për të marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase.
Së fundmi mediat italiane kanë raportuar edhe për një takim mes trajnerit italian dhe drejtorit sportiv bardhekaltër Igli Tare, por vetë De Biasi i intervistuar nga mediat italiane ka mohuar gjithçka duke nënvizuar se ka rreth një vit që nuk e takon Taren. Trajneri i Kombëtares Kuqezi ka shtuar gjithashtu se nuk asgjë mes tij dhe klubit të Lazios.