Telegrafi

Zeneli këshillohet nga legjenda e futbollit holandez

Vetëm 21 vjeç, Arbër Zenelit i janë dashur rreth tre muaj për të mahnitur holandezët.

Heerenveeni e mori në janar nga Malmo dhe kosovari ka impresionuar, duke fituar vendin e titullarit e duke shkëlqyer në çdo drejtim, aq sa ka shënuar katër gola në vetëm 13 ndeshje.

Në këtë mënyrë, Zeneli është kthyer në “thesarin” e Heerenveenit, së bashku me mbrojtësin Jerry St. Juste, si dhe sulmuesin suedez Sem Larsson, të gjithë mjaft të rinj.

Një emër i madh i futbollit holandez, Johnny Rep, duke folur për të përditshmen holandeze ‘De Telegraaf’, këshillon klubin dhe lojtarët.

“Në ndeshjen e fundit, kundër AZ Alkmarit, u habita nga cilësitë e Jerry St. Juste, Zenelit dhe Larssonit, janë talente të mëdhenj. Megjithatë, jam i bindur që duhet të qëndrojnë edhe një vit në Heerenveen, për t’u zhvilluar e pjekur si futbollistë”.

Zeneli mund të tubohet nga Suedia për kampionatin evropian, ndërsa më parë ka qenë pjesë e grupmoshave të kësaj kombëtareje. /Telegrafi/