Telegrafi

Zeneli: Të gjithë po e presim me padurim ndeshjen ndaj Bullgarisë

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Arbër Zeneli ka folur pas stërvitjes së sotme (e shtunë) në përgatitje e sipër për ndeshjen e së hënës ndaj Bullgarisë.

Përfaqësuesja e Kosovës është nikoqire e Bullgarisë në ndeshjen e parë në kampanjën eliminatore për Euro 2020 në kuadër të Grupit A.

Pas barazimit në shtëpi ndaj Danimarkës, ekipi i Kosovës ka fituar vetëbesim dhe pret rezultat pozitiv në ndeshjen e parë eliminatore para tifozëve tonë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Lexo po ashtu Stërvitja e Kosovës para ndeshjes ndaj Bullgarisë - përgatitja e skuadrës për debutimin sa më të mirë në kualifikimet për 'Euro 2020'

“Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar që të hyjmë në ritmin tonë”, ka thënë fillimisht Zeneli.

“Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera në kombëtare është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për të dhënë 100 për qind”.

Futbollistët e Kosovës në stërvitjen e së shtunës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

“Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngase e dinë se çfarë ekipi kemi”.

“Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar. Secili futbollist po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha”, përfundoi sulmuesi i Kosovës. /Telegrafi/