Arbër Zeneli ka folur pas stërvitjes së sotme (e shtunë) në përgatitje e sipër për ndeshjen e së hënës ndaj Bullgarisë.
Përfaqësuesja e Kosovës është nikoqire e Bullgarisë në ndeshjen e parë në kampanjën eliminatore për Euro 2020 në kuadër të Grupit A.
Pas barazimit në shtëpi ndaj Danimarkës, ekipi i Kosovës ka fituar vetëbesim dhe pret rezultat pozitiv në ndeshjen e parë eliminatore para tifozëve tonë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
“Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar që të hyjmë në ritmin tonë”, ka thënë fillimisht Zeneli.
“Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera në kombëtare është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për të dhënë 100 për qind”.
“Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngase e dinë se çfarë ekipi kemi”.
“Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar. Secili futbollist po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha”, përfundoi sulmuesi i Kosovës. /Telegrafi/