Zendaya shkëlqeu në tapetin e kuq të Gotham Awards të mbajtur në New York, duke tërhequr vëmendjen me një fustan të bardhë, pa kurriz, nga Louis Vuitton, dizenjuar nga Nicolas Ghesquiere.
Aktorja 28-vjeçare, e cila u nderua me çmimin “Spotlight Tribute Award” për rolin e saj në filmin “Challengers”, e kompletoi pamjen e saj me bizhuteri delikate Bulgari dhe taka elegante Jimmy Choo.
E stiluar nga bashkëpunëtori i saj i vjetër Law Roach, Zendaya shfaqi një pamje të përkryer dhe moderne, shkruan DailyMail.
Flokët i mbante të mbledhura në një model të lëmuar, ndërsa grimi i saj theksonte bukurinë natyrale dhe qerpikë të dendur që nxirrnin në pah sytë e saj të mëdhenj, ngjyrë kafe.
Gotham Awards vazhdojnë të përqafojnë kategori neutrale gjinore që nga viti 2021, duke ofruar një platformë gjithëpërfshirëse për performanca të jashtëzakonshme.
Kandidatët për këtë vit përfshijnë emra të njohur si Nicole Kidman, Pamela Anderson, dhe Colman Domingo, duke bërë që ceremonia të shndërrohet në një mbrëmje të madhe për industrinë e filmit. /Telegrafi/