Site icon Telegrafi

Zemaj: Vetëm duke respektuar masat mund t’i hapim shkollat në shtator

Katër persona kanë vdekur dhe 157 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërsa janë shëruar 154.

Megjithatë, drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike Naser Ramadani ka thënë se është trefishuar zvogëlimi i numrit të rasteve, por rekomandimet e IKSHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë mbeten në fuqi për t’u respektuar nga të gjithë.

Edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka kërkuar respektimin e masave të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit në mënyrë që t’i hapet rrugë hapjes së shkollave në shtator.

Ai gjatë një vizite në Malishevë tha se ka ofruar mbështetje për këtë komunë jo vetëm në menaxhimin e pandemisë, por edhe në avancimin e shërbimeve shëndetësore.

“Kërkoj nga qytetarët e Malishevës që t’i respektojnë masat e Qeverisë dhe ato masa janë shumë të lehta që të kalojmë pandeminë sa më lehtë dhe ta luftojmë bashkë, duke i mbajtur maskat, distancën fizike dhe higjienën personale dhe kolektive. Këto janë masat më të mira dhe më të lehta që do të na ndihmonin neve e po ashtu do ta ruanin edhe vetveten dhe familjet e tyre. Po ashtu, edhe do të na hapnin perspektivën e hapjes së kontrolluar që të hyjmë në fazën e vjeshtës dhe të vitit të ri shkollor më të sigurt dhe më të gatshëm që të përballemi me pandeminë COVID-19”, tha Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike Naser Ramdani ka thënë se situata epidemiologjike po vazhdon gradualisht të ulë intensitetin e saj edhe pse ende duhet kohë dhe punë nga të gjithë që të ulët edhe më tepër ky intensitet.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar gjithsejtë 511 mostra të marrë nga Qendra Klinike Universitare, nga të cilët rezultojnë 157 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar vetëm 4 raste të vdekjes që është trefishuar zvogëlimi i numrit të rasteve dhe po shkojmë drejt zvogëlimit të mëtutjeshëm deri në rastet zero. Numri total i rasteve pozitive është 12 mijë e 840 me gjithsejtë 492 raste të vdekjeve. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 154 pacient, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve në Kosovë deri më sot është 8 mijë e 942 raste. Kurse numri i rasteve aktive është 3 mijë e 406… Akoma mbeten rregullat në fuqi dhe zbatimi i rekomandimeve të IKSHP-së dhe MSH-së që të mbajmë distancën, maskat dhe higjienën personale. Vetëm kjo aktualisht do ta na garantojë neve se do të shkojmë drejt rrëzimit të lakores epidemiologjike dhe drejt suksesit të madh të largimit të pandemisë Covid-19”, tha Ramadani.

Nënkryetar i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha tha se me ministrin Zemaj kanë biseduar për çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, por me theks të veçantë për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Deri më sot aktualisht i kemi të prekur me COVID-19, 192 qytetarë, prej tyre 143 tashmë janë shëruar plotësisht, 17 fatkeqësisht kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa aktivë janë 32. 6 pacientë aktualisht i kemi të shtrirë në qendrat e ndryshme klinike ku gjendja e tyre për momentin paraqitet stabile, ndërsa pjesa e tjetër e peronave të konfirmuar me COVID-19 janë duke u trajtuar nëpër shtëpitë e tyre. Shpresojmë në forcimin e kapaciteteve me qëllim të parandalimit të sëmundjes me COVID-19”, theksoi Berisha.

Drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se numri i të infektuarve në Malishevë është menaxhuar me korrektësi, edhe pse shumë qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e pandemisë.

Exit mobile version