Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj duke uruar festën e 28 Nëntorit, ka bërë thirrje që të festohet në shtëpi, pasi kjo është e domosdoshme.
Ministri Zemaj ka shkruar në Facebook se sot festën gëzimin dhe patriotizimin tonë duhet ta tregojmë ndryshe, patriot është ai i cili rreshtohet krah institucioneve, rreshtohet në krahë të mantel bardhëve, të Policisë dhe të gjithë të tjerëve, për të vetmin qëllim, ruajtjen e shëndetit të njëri-tjetrit.
“Kisha dashur shumë që sot bashkë me ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Mixhozin dhe me gjithë të tjerët të bënim përgatitjet për festën e madhe të 28 Nëntorit, festën e Flamurit kombëtar që me të edhe nisëm, vazhduam dhe mbyllëm luftën tonë më 1999-ën.
Por jo, sot festën gëzimin dhe patriotizimin tonë duhet ta tregojmë ndryshe, patriot është ai i cili rreshtohet krah institucioneve, rreshtohet në krahë të mantel bardhëve, të Policisë dhe të gjithë të tjerëve, për të vetmin qëllim, ruajtjen e shëndetit të njëri-tjetrit.
Secili tashmë e di se fitorja e kësaj lufte është në duart e secilit nga ne, duke ruajtur veten, familjarët dhe rrethin ku jetojmë.
Për nëntë muaj, pandemia na ka dhënë shumë mësime, por mësimi më i mirë që mund të nxjerrim është që secili duhet të bëhet pjesë aktive e kësaj lufte kundër virusit.
Është në dorën tonë të bartim maskën, të ruajmë distancën dhe mbajmë higjienën.
Andaj, duke ju uruar Festën e 28 Nëntorit, ju bëj thirrje që të festoni në shtëpi, e dimë që nuk është mënyra më e mirë e të festuarit, por është e domosdoshme.
Bashkë ia dalim”, ka shkruar Zemaj.