Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një konferencë për media ka folur për masat e reja që janë marrë në luftimin dhe parandalimin e përhpajes së COVID-19.
Zemaj ka thënë se këto masa lehtësuese nuk nënkupton që nuk duhet vazhduar të kemi kujdes edhe më tej.
“Masat të cilat sot e kanë marrë votën e qeverisë, konsistojnë që në ambiente të mbyllura ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave, kurse në hapësirat e hapura ndalohet grumbullimi i më shumë se 50 persona. Kjo nuk nënkupton që ne nuk duhet vazhduar të kemi kujdes”, tha Zemaj.
Zemaj bëri të ditur edhe rangimin e komunave sa i përket rrezikshmërisë së përhapjes të virusit COVID-19.
“Për këtë javë në zonën e kuqe janë 9 komuna, në zonën e verdhë janë 6, kurse në zonën e gjelbër janë 23 komuna.
Në zonën e kuqe janë : Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Podujeva, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.
Ministri në detyrë u bëri thirrje subjekteve politike që tashmë kanë nisur fushatën që të jenë të kujdesshme dhe të zbatojnë masat e marra. /Telegrafi/