Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë vizitës që i ka bërë sot Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilanit, ka bërë të ditur se pas arritjes së pajisjeve PCR në Kosovë, brenda disa ditëve do të përfundojë procedura teknike për shpërndarjen e tyre edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik.
Në Gjilan, ministri Zemaj foli edhe për mundësinë e ashpërsimit të masave antiCOVID, për çka tha se nëse nuk do të ketë mundësi që infeksioni të menaxhohet prioritet do ta ketë shëndetin e qytetarëve.
“Kapacitetet testuese janë katërfishuar në IKShPK dhe ju i shihni edhe në numra dhe në shifra. Ato kapacitete kanë mbuluar kërkesat dhe nevojat e Qendrës rajonale, por punën do ta lehtësojë pajisja PCR. Specializantët e ri janë duke u trajnuar, por këtu kemi edhe stafin profesional dhe besojmë që kjo është çështje ditësh pasi ka edhe procedura teknike. Pajisjet kanë ardhur. Është bërë leferimi përmes projektit të Bankës Botërore që janë blerje nga Ministria e Shëndetësisë vetëm procedurat ata i udhëheqin për hir të transparencës dhe efikasitetit në procedurë”, tha ai.
Nëse nuk do të ketë ulje të rasteve të reja kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka deklaruar se do të ketë masa të reja kufizuese, e ministri Zemaj tha se nëse nuk do të mund të kontrollohet infeksioni prioritet do ta ketë ruajtjen e shëndetit publik.
“Vlerësimi i situatës epidemiologjike bëhet në baza ditore. Vlerësimin javor e kemi edhe me vendim nga IKShPK dhe Bordi Këshillëdhënës, i cili më jep këshilla dhe në bazë të atyre vlerësimeve ne do të shohim vlerësimin e mëtutjeshëm të masave. Gjilani është zonë e kuqe, sikurse edhe Kamenica, Vitia, dhe komunat e vogla janë në zonën e verdhë që nuk kanë ndonjë dallim të madh me zonën e kuqe. Sido që të jetë, do të shohim se si duhet të veprojmë tutje. Nëse duhet të kemi kufizime dhe shohim se infeksioni nuk mund të menaxhohet, atëherë për mua është prioritet ruajtja e shëndetit publik”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, u shpreh se ka një koordinim të mirë mes nivelit qendror dhe atij lokal sa i përket menaxhimit me COVID-19.
“Funksionimi i mirë i QKMF-ve, komunës dhe institucioneve civile me institucionet shëndetësore është jashtëzakonisht në nivel dhe ne po punojmë ta përmirësojmë”, tha ai.
Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike, Ajhane Sefiu, tha se me ardhjen e aparaturave për testim PCR do të kenë mundësi që t’i punojnë vetë mostrat e marra.
“Jam mirënjohëse për gjithçka është bërë në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik dhe atë që na e kanë mundësuar që shumë shpejt të na vijë PCR dhe të punojmë mostrat e marra vetë në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik”, tha ajo.
Burbuqe Shkodra, epidemiologe në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, tha se po shfrytëzojnë kapacitetet e testimit në maksimum, por ka pasur edhe një lutje për qytetarët e kësaj komune.
“Testimi brenda ditës shkon deri në 120 raste, pra deri në maksimum, por gjithmonë duke falënderuar IKShPK që na i dërgon mostrat. Qytetarët vijnë në një numër shumë të madh dhe jemi duke u munduar ta menaxhojmë situatën me testime. Por, iu kisha lutur qytetarëve që një familje që ka një rast pozitiv të konfirmuar të mos vijnë e gjithë familja të testohet, po të trajtohen sepse aty ku është një rast pozitiv të gjithë anëtarët e familjes janë pozitivë. Ne mandej po kemi problem në menaxhim të testimit”, tha ajo.
Gjatë qëndrimit në Gjilan, Zemaj ka vizituar edhe Spitalin e Përgjithshëm, ku ka vërë dorëzimin e një rëntgeni mobil.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Ukshin Ismajli, ka treguar në aktualisht të shtrirë në këtë spital janë 123 persona, prej të cilëve 77 janë të konfirmuar COVID pozitiv.
Sa i përket donacionit të rëntgenit mobil, ai tha se është shumë i nevojshëm për ta dhe që iu ka munguar deri më tani.
“Numri i pacientëve është 123 të shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, 77 janë të konfirmuar dhe me oksigjeno-terapi. Po mundohemi të bëjmë me të mirën e mundshme në kushtet që kemi, por prapë duke iu falënderuar investimeve dhe mundësive që na i ka dhënë ministri, SHSKUK-ja dhe kryetari i Komunës… Faleminderit për donacionin shumë e nevojshëm për rëntgenin mobil, i cili na ka munguar”, tha ai.
Kreu i Shëndetësisë gjatë ditës ka vizituar edhe Komunën e Gjilanit, ku është pritur nga kryetari Lutfi Haziri.