Telegrafi

Zemaj thotë se Kosova është shembull për menaxhimin e pandemisë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se Kosova është vend shembull për menaxhimin e pandemisë së coronavirusit.

Zemaj, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar qytetarët për respektimin e masave anti-Covid.

“Kur flasim për menaxhimin e pandemisë, Kosova është vend shembull.
Faleminderit qytetarë për disiplinën dhe respektimin e rregullave anti Covid.
Të bartim maskën!
Të ruajmë distancën!
Të mbajmë higjienën!”, ka shkruar Zemaj, duke prezantuar përmes infografikës gjendjen e Kosovës me coronavirus, krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas tabelave të prezantuar Kosova del të jetë një nga shtetet me rastet më të pakta për nga numri i të infektuarve në 100 mijë banorë.

Këto të dhëna kanë dalë nga data 21 dhjetor 2020 deri më 3 janar 2021, të nxjerra nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Aktualisht 6,140 persona janë të infektuar dhe njihen si raste aktive me COVID-19. Sipas raportit të IKSHPK deri më 09.01.2021 nga coronavirusi janë shëruar edhe 646 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 46,259.

Që prej marsit të vitit 2020, e deri më 10 janar 2021, Kosova ka regjistruar 53,776 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,377 pacientë kanë vdekur.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të dielën ka ftuar qytetarët të vazhdojnë me respektimin e masave kundër përhapjes së pandemisë.

Zemaj pretendon se tashmë janë siguruar 1.220.000 vaksina kundër coronavirusit. /Telegrafi/