Telegrafi

Zemaj themelon Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, me Lul Rakën kryesues

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se ka themeluar Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, me Lul Rakën kryesues.

Zemaj ka thënë se “një elitë mjekësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe figurash profesioniste me profil të lartë të fushave të ndryshme do të përbëjnë këtë bord prej njëmbëdhjetë anëtarësh”, transmeton Telegrafi.

“Këta vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ai ka thënë se bordi nuk do të jetë vetëm si dekor në këtë luftë, por organ profesional këshillimor për Ministrin e Shëndetësisë.

“Do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e COVID-19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të COVID-19”.

Zemaj thotë se të gjitha propozimet nga ky bord do të vlerësohen dhe rekomandohen edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike/ IKSHP sipas legjislacionit në fuqi.

“Përballja jonë me virusin mbetet e pakompromis. Nuk do të zmbrapsemi. Së bashku do të triumfojmë! Mbajeni maskën. Ruaje higjienën.Respekto distancën sociale”./Telegrafi/