Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë duke bërë një punë të suksesshme në luftimin e pandemisë për COVID-19.
Zemaj gjatë një vizite që i bëri Shërbimit Spitalor të Kosovës (ShSKUK) bashkë me kryeministrin Abdullah Hoti ka thënë se të gjithë do të japin përgjegjësi dhe llogaridhënie për punën e bërë gjatë këtyre muajve të pandemisë.
Ai po ashtu tha se kanë avancuar edhe me plane konkrete në ngritjen kapaciteteve infrastrukturore dhe resurseve humane.
“Përgjegjësi dhe llogaridhënie do të ngrisë në të gjithë nivelin, aty ku unë duhet të raportoj, aty duhet të jemi të gjithë së bashku. Në ngritjen e synimeve tona të përbashkëta, për ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës dhe resurseve humane ne kemi avancuar me plane konkrete qoftë në dhënien e specializimeve, punësimeve të reja, etj. Në kuadër të saj do të kemi një dinamik tjetër edhe të matjes së performancës, duke filluar nga niveli i ministrisë e deri tek më i ulëti”, ka thënë ai.
Zemaj tha se nuk dëshiron që numri i vdekjeve në Klinikat e Kosovës të jetë statistikë e zezë në raport me vendet e rajonit.
“Nuk dëshiroj që si ministër në asnjë nga klinikat tona numri i vdekshmërisë të jetë statistikë e zezë në raport me vendet e rajonit. Të jemi të përgjegjshëm në bazë të pozitave që i kemi”, u shpreh ai.
Sipas tij, tash janë në një fazë të pandemisë ku mund të marrin frymë më lirshëm.
Zemaj theksoi se do të kërkojnë angazhim shtesë sipas ligjeve në fuqi për arritjen e kërkesave të tyre për avancimin e shërbimeve shëndetësorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Tash jemi në një fazë ku na është dhënë mundësia të marrim frymë pak më lirshëm. Do të kërkojmë organizim shtesë, do të ngrisim interferimin e përbashkët sipas ligjeve në fuqi, që kërkesat tona të jenë të qarta për avancimin e shërbimeve shëndetësorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ndër tjera ministri Zemaj. /Telegrafi/