Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se të mërkurën bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti do t’i shpallin masat e reja anti-COVID.
Zemaj tha se shkollat do të vazhdojnë të punojnë sipas masave që tashmë janë ndërmarrë dhe se do të bëjnë çmos që të mos i mbyllin ato të nivelit fillor dhe të mesëm,.
Ndërkaq, ai paralajmëroi mbyllje për qendrat tregtare dhe në ato vende ku po grumbullohen njerëzit, të cilat edhe i bëri përgjegjëse për rritjen e infeksionit.
“E kemi një standard në shkolla ku çdo pesë për qind, qoftë e nxënësve, qoftë e mësimdhënësve, nëse rezultojnë pozitivë kalojnë nga plani A në planin B dhe do të mbikëqyrën. Shkollat do të bëjmë të pamundur që të mos i mbyllim në nivelin fillor dhe të mesëm, ndërsa universiteti ka kaluar online”, tha Zemaj për Klan Kosova.
“Në aspektet e tjera ka dhe do të ketë edhe kufizim të lëvizjeve edhe mbyllje të qendrave tregtare. Ky vlerësim është sepse grumbullimet janë bërë shkaktarë të infeksionit”.
“Është duke u analizuar gjendja edhe me protokollet dhe udhëzuesit, si dhe me OBSH-në. Kemi folur edhe me kryetarët e komunave dhe do të shkojmë me tri nivele: Zona e gjelbër, zona e verdhë dhe zona e kuqe. Prishtina e ka kaluar numrin dhe tani gjendet në zonën e kuqe. Prishtina është atakuar shumë në këtë dyjavësh dhe domosdoshmërisht duhet të jenë masat më të ashpra se në komunat tjera. Por edhe në disa komuna ka rritje të rasteve dhe nesër do ta kemi të qartë hartën epidemiologjike”, tha ai.
“Jemi përballë me rritje të numrit të infeksioni është një diametër i njëjtë që po lëvizë, por duhet ta parandalojmë dhe të mos lejojmë që raste spitalore të jenë në rritje. Është ngarkesë e madhe për profesionistët tanë shëndetësorë. Masat që do të ndërmerren jo vetëm të zbatueshme por të domosdoshme për parandalim”, tha Zemaj.