Site icon Telegrafi

Zemaj takoi senatorin italian Sonego, diskutuan rreth anëtarësimit të Kosovës në Iniciativën Qendrore Evropiane

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj në cilësinë e zëvendëskryetarit të Komisionit për Integrime Evropiane, sot ka pritur në takim senatorin e Italisë, Lodovico Sonego, i cili shoqërohej nga ambasadori italian në Kosovës, Piero Cristoforo Sardi.

Në këtë takim u diskutua rreth angazhimit të shtetit të Kosovës që të bëhet pjesë e iniciativave për anëtarësim në organizatat rajonale, sidomos në Iniciativën Qendrore Evropiane (CEI), në të cilën senatori Sonega është kryetar i delegacionit parlamentar të Italisë në Iniciativën Qendrore Evropiane (CEI).

“Avancimi i raporteve në zhvillimin e diplomacisë parlamentare në mes dy vendeve do ishte lehtësim për Kosovën dhe ndihmese ne mbështetjen që e jepe Italia për Republikën e Kosovës”, tha Zemaj.

Tema të takimit ishin edhe zhvillimet aktuale në vendin tonë, proceset integruese në kuadër të saj, si dhe temat që preokupojnë opinionin publik dhe janë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës si: sundimi i rendit dhe ligjit, demarkacioni, si dhe përgatitje me fleksibile e legjislacionit që të kemi sa më shumë investime të jashtme e sidomos ato Italiane.

Po ashtu, deputeti Zemaj përsëriti qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së rreth tendencës për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara si dhe qëndrimin e tërheqjes tani të krerëve institucional nga kjo iniciativë.

Ndërsa, senatori Sonego theksoi se shteti i Kosovës nuk duhet lejuar që të krijojë pasqyrë e cila do dukej si hezituese ne sundimin e ligjit, duke dhënë kështu një mesazh të qartë.

Ai po ashtu, deklaroi mbështetjen e tij për Kosovën në vazhdimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe sidomos në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, duke kërkuar që institucionet e vendit t’i kryejnë obligimet e marra në këtë drejtim.

Në emër të grupit të miqësisë, deputeti Armend Zemaj falënderoi senatorin Lodovico Sonego për mbështetjen në të gjitha fushat si dhe për bashkëpunimin e ofruar ndërparlamentar Kosove – Itali, njëherit u dakorduan që në të ardhmen të dyja parlamentet të intensifikojnë bashkëpunimi. /Telegrafi/

Exit mobile version