Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherit deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka reaguar lidhur me vendimin e Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve për shkak të temperaturave të larta.
Zemaj ka thënë se ky vendim është i dëmshëm dhe skandaloz, derisa e ka pyetur ministrin Arben Vitia nëse vazhdon të jetë ministër i Shëndetësisë.
“Një vendim i tillë është për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Postimi i plotë:
O ministër i shëndetësisë, a je gjallë?
A mos ke dhënë prapë dorëheqje?
Nëse po, a kthehesh prapë ministër?
Nëse jo, a je ministër edhe kur janë temperaturat e larta?
A do të jesh ministër edhe kur të jenë temperaturat e ulëta?
Ku je ministër i vendimeve që e dëmtojnë shëndetin dhe nuk ofrojnë shërbime për pacientët?
Vendimi i Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve – programit të ftohtë gjatë muajve te verës është i papranueshëm, i dëmshëm; është skandaloz.
Një vendim i tillë është për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore.
Hiq më larg se dje, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale adresuam problemet e shumta, ku njëra ndër to ishte edhe lista e gjatë e pritjes për të marrë shërbimet shëndetësore. E zotimi i pushtetit ishte që do të angazhohen në këtë drejtim, ndërsa nuk vonon shumë Spitali i Gjakovës, që është nën menaxhim të pushtetit merr një vendim krejt të kundërt nga zotimi i udhëheqësve të tyre.
Përgjegjësia politike e ministrit të shëndetësisë është e pakontestueshme. /Telegrafi/